Vendosni fjalën kyçe....

Gjashtë vende të BE-së bëjnë thirrje për uljen e kufirit të çmimit për naftën ruse


Gjashtë vende të Bashkimit Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të ulë kufirin e çmimit prej 60 dollarësh për fuçi të vendosur për naftën ruse nga vendet e G7-ës, duke argumentuar se kjo do pakësonte të ardhurat e Moskës për të vijuar luftën në Ukrainë, duke mos shkaktuar njëkohësisht tronditje në treg.

Kufijtë e çmimeve të naftës së papërpunuar ruse si dhe prodhimeve të naftës së rafinuar u vendosën nga vendet e G7-ës për të frenuar të ardhurat e Moskës nga tregtia e naftës dhe në këtë mënyrë për të kufizuar aftësinë e vendit për të financuar pushtimin e Ukrainës.

“Masat që synojnë të ardhurat nga eksporti i naftës janë thelbësore pasi ato pakësojnë burimin e vetëm më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë,” thanë Suedia, Danimarka, Finlanda, Letonia, Lituania dhe Estonia në një letër drejtuar krahut ekzekutiv të BE-së.

“Ne besojmë se tani është koha për të rritur më tej ndikimin e sanksioneve tona duke ulur kufirin e çmimit të naftës G7,” tha ai.

Kufiri i çmimit të G7-ës u caktua në 60 dollarë për fuçi naftë të papërpunuar ruse dhe për prodhimet e naftës në një maksimum prej 100 dollarë për fuçi prodhime premium të papërpunuar dhe 45 dollarë për fuçi për prodhimet me zbritje në naftë.

Këto çmime maksimale nuk kanë ndryshuar që nga dhjetori 2022 dhe shkurti 2023 kur u prezantuan, ndërkohë që çmimet e naftës së papërpunuar ruse në treg ishin nën atë nivel mesatarisht në 2023 dhe 2024.

“Tregu ndërkombëtar i naftës furnizohet më mirë sot se në vitin 2022, duke ulur rrezikun që një kufi më i ulët i çmimit të shkaktojë një goditje të ofertës,” thuhej në letrën e gjashtë vendeve.

“Në funksion të kapacitetit të kufizuar të magazinimit dhe varësisë së saj të madhe nga eksportet e energjisë për të ardhurat, Rusia nuk ka alternativë për të vijuar eksportet e naftës edhe me një çmim shumë më të ulët,” thuhej në letër.