Vendosni fjalën kyçe....

Ikën Myzyri?/ Qeveria shpall garën për kreun e ri të KPP


Qeveria ka shpallur garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit të Prokurimit Publik. Përmës një thirrje të publikuar në Buletinin e Prokurimeve, Kryeministria fton personat e interesuar që të aplikojnë për të qënë kryetar i KPP.

Sipas njoftimit, aplikanti duhet të përmbushë një sërë kriteresh, mes të cilëve edhe atë të mosqënit nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale. “Aplikanti duhet të paraqesë vërtetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk është nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale,” thuhet në shpallje.

Në thirrjen e shpallur, Kryeministria njofton se aplikantët e interesuar kanë kohë deri në 27 janar për të dorëzuar aplikimet e tyre.

Që prej korrikut të vitit 2020, Komisioni i Prokurimit Publik është drejtuar nga Jonaid Myzyri. Por më parë gjatë periudhën 2015-2019, ai ka mbajtur postin e inspektorit pranë këtij institucioni. Gjatë vitit të kaluar zoti Myzyri është thirrur dy herë nga SPAK, për një sërë tenderash, ku çështja më e bujshme është ajo e koncesionit të sterilizimit.

Në shkurt të vitit të kaluar Myzyri u mor për më shumë se dy orë në pyetje nga prokurorët e SPAK për çështjen e Sterilizimit. Myzyri u përfshi në këtë çështje, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi SPAK që të hetojë dhe rolin e Komisionit të Prokurimit Publik në aferën e Sterilizimit.

Megjithatë nuk dihet statusi zyrtar i Myzyrit në raport me SPAK. A është kreu aktual i KPP një person nën hetim nga SPAK apo më tej akoma, emri tij është shënuar në regjistrin penal dhe ndaj tij është hapur çështje penale?

Nëse ndaj tij është hapur procedim penal, atëherë kjo do ta skualifikonte automatikisht Jonaid Myzyrin nga një rizgjedhje e mundshme në postin e kryetarit të KPP dhe institucioni suprem i tenderave do të drejtohet nga një emër i ri.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Kapitali. Al