Kufizimet e reja në shitjen e gjysmëpërçuesve të avancuar për inteligjencën artificiale, të shpallura nga Shtëpia e Bardhë disa ditë para hyrjes në detyrë të një presidenti të ri, kishin si qëllim sigurimin e epërsisë së SHBA-së ndaj Kinës dhe konkurencës globale në fushën e AI, por ato do të kishin një ndikim negativ për kompanitë izraelite.
“Rregullat e reja janë projektuar për të mbrojtur teknologjinë më të avancuar të AI dhe për të siguruar që ajo të mbetet jashtë duarve të kundërshtarëve tanë të huaj, duke mundësuar gjithashtu shpërndarjen dhe ndarjen e përfitimeve me vendet partnere”, u shpreh Sekretarja e Tregtisë e SHBA-së, Gina Raimondo, për gazetarët të dielën.
Korniza amerikane krijon tre nivele për eksportet e gjysmëpërçuesve dhe teknologjisë së avancuar të AI. Izraeli është përfshirë në nivelin e tretë, dhe kompanitë e tij të teknologjisë, si dhe industria e mbrojtjes, do të kenë kufizime në sasinë e gjysmëpërçuesve që mund të blejnë.
Sipas projektligjit të Difuzionit të AI, shumica e vendeve evropiane, Japonia dhe aleatët e tjerë të ngushtë të SHBA-ve do të mund të blejnë çipa AI pa kufizime.
Dhjetra vende të tjera, përfshirë Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë, do të ndalohen të blejnë çipat amerikanë gjysmëpërçues të AI.
Izraeli është një nga 100 vendet që do të ketë kufizime të reja në blerjen e gjysmëpërçuesve, megjithatë do të ketë mundësinë të aplikojë për kuota shtesë, në përputhje me disa kërkesa dhe rregullore të sigurisë.
Nvidia kritikoi të enjten planin e administratës, duke thënë se presidenti në largim nuk duhet të “pengojë presidentin e ardhshëm Trump” duke miratuar një politikë të minutës së fundit. “Ne do ta inkurajonim Presidentin Biden që të mos e pengojë presidentin e ardhshëm Trump duke miratuar një politikë që vetëm do të dëmtojë ekonominë amerikane, do ta kthejë Amerikën prapa dhe do të luajë në duart e kundërshtarëve të SHBA,” tha Zëvendës Presidenti i Nvidia, Ned Finkle, në një deklaratë të dërguar me email.
“Ndërsa ato mbulohen me justifikimin e një mase ‘anti-Kinë’, këto rregulla nuk do të bëjnë asgjë për të rritur sigurinë e SHBA. Rregullat e reja do të kontrollonin teknologjinë në mbarë botën, duke përfshirë teknologjinë që tashmë është gjerësisht e disponueshme në kompjuterët e zakonshëm të lojërave dhe pajisjet e konsumatorëve. Në vend që të zbusin çdo kërcënim, rregullat e reja të Biden do të dobësonin konkurrencën globale të Amerikës, duke minuar inovacionin që e ka mbajtur SHBA-në përpara”, vazhdoi deklarata.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Ynetnews