Vetëm një javë përpara se Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Ukraina po përgatitet për disa zgjedhje të vështira në muajt e ardhshëm. Trupat e saj po luftojnë kundër Rusisë përgjatë disa pjesëve të vijës së gjatë të frontit, ajo ka mungesë të ushtarëve me përvojë dhe ka pasiguri nëse ndihma ushtarake do vijojë të vijë si deri tani.
Në Kiev, qeveria pret dhe shikon sinjalet nga Moska dhe Uashingtoni dhe përsërit dëshirën e saj për një “paqe të drejtë”. Çdo mendim për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia është në pritje të pacaktuar.
Pavarësisht se kanë pësuar humbje të shumta, forcat ruse vijojnë të shtyjnë përpara pa ndalur në rajonin e Donetskut, një nga katër rajonet që Moska ka aneksuar ilegalisht dhe po kërkon ta pushtojë plotësisht. Fitimet e tyre ditore maten me fusha dhe rrugë ndërsa zvarriten drejt brezit industrial të rajonit.
Sipas analistëve të WarMapper, Rusia ka nën zotërim aktualisht pak më shumë se 18% të Ukrainës – duke përfshirë Krimenë dhe zonat e Donetsk dhe Luhansk që kishte marrë para vitit 2022. Forcat ruse kishin marrë rreth 150 milje katrorë (400 kilometra katrorë) në dhjetor.
Njësitë ukrainase janë më të shumta në numër në lindje. Një komandant tha këtë javë se grupe të vogla të këmbësorisë ruse po kryenin sulme nga shumë drejtime në të njëjtën kohë, duke e bërë të vështirë për forcat ukrainase përqendrimin e zjarrit.
“Ndërsa korrelacioni i forcave në lidhje me zjarret taktike, dronët dhe sulmet me rreze të gjatë duket se nuk po favorizon asnjërën palë në një masë të konsiderueshme, fuqia punëtore mbetet dalluesi kryesor midis Rusisë dhe Ukrainës,” thotë Mick Ryan, i cili shkruan për bloëgun Futura Doctrina.
Njësitë ruse janë tani 3 milje (5 kilometra) nga qendra e Pokrovsk dhe kanë marrë kontrollin e Kurakhove dhe një pjesë të qytetit të Toretsk, sipas videove të gjeolokuara.
Komandanti i një batalioni ukrainas pranë Pokrovsk tha se forcat ruse atje kishin shtuar granatimet dhe sulmet me bomba.
Zëdhënësi ushtarak Viktor Tregubov i tha televizionit ukrainas se luftimet vijuan rreth Kurakhove dhe trupat po mbaheshin rreth termocentralit, “kështu që nuk mund të themi se trupat ruse e kanë marrë qytetin plotësisht. Por, sigurisht, pjesa më e madhe e qytetit është kthyer në gërmadha.”
Qëllimi për Kievin është të mbrojë atë që ka ende nën zotërim. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov tha në një takim me aleatët në Gjermani javën e kaluar se prioritetet e Ukrainës këtë vit do ishin stabilizimi i vijës së frontit dhe forcimi i aftësive të saj mbrojtëse.
Aleatët kanë dhënë më shumë se 126 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën gjatë tre viteve të fundit. Partnerët premtuan ndihmë të mëtejshme në Gjermani këtë javë, duke përfshirë 30,000 dronë gjatë vitit të ardhshëm dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të premten se koalicioni “duhet të vijojë të mbështesë Ukrainën dhe të forcojë pozitat e saj në negociatat që një ditë do i japin fund luftës monstruoze të Putinit”.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius madje sugjeroi se administrata e ardhshme e SHBA-së mund të ndërpresë takimet e Grupit të Kontaktit, duke thënë se nëse ai do vijojë të ekzistojë “do duhet të funksionoë në një formë tjetër”.
Negociatat për përfundimin e konfliktit duken të pamundura për momentin.
“Arsyeja është e thjeshtë. Moska nuk është e gatshme për asnjë kompromis. Luan për fitore, jo për barazim”, thotë Arkady Moshes, duke shkruar në 19FortyFive.
“Suksesi mund të arrihet në fushën e betejës ose në tryezën e bisedimeve, por ai duhet të jetë i padiskutueshëm. Sipas mendimit të Putinit, Ukraina duhet të mposhtet dhe Perëndimi duhet të pranojë publikisht humbjen e Ukrainës dhe të aleatëve gjithashtu”, shtoi Moshes.
Bisedimet e mundshme të paqes
I dërguari i Trump për Ukrainën, ish-gjenerali amerikan Keith Kellogg, tha javën e kaluar se ai shpresonte të ishte në gjendje të dilte me një zgjidhje solide dhe të qëndrueshme për luftën brenda 100 ditëve. Vetë Trump kishte thënë gjatë fushatës se do i ndalonte luftimet brenda 24 orëve pas marrjes së detyrës, por kur u pyet së fundmi se sa shpejt mund t’i jepte fund luftës, tha: “Shpresoj ta bëj në gjashtë muaj. Ose shumë përpara gjashtë muajve.”
Se si synimet e pandryshuara të Kremlinit përputhen me planet e administratës së ardhshme Trump është e paqartë.
Ryan, blogeri i Futura Doctrina, beson se Putin “ka të ngjarë të sigurojë përparim në terren pa marrë parasysh se çfarë do bëjë administrate amerikane në objektivin e saj 100-ditor. Ai nuk ka asnjë arsye bindëse për të ardhur në tryezë tani, duke menduar se ka momentumin në këtë luftë.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë pak tregues për parametrat që do ishin të pranueshëm për Ukrainën. Ai tha të premten: “Ne padyshim do qëndrojmë të vendosur dhe do arrijmë një paqe të qëndrueshme për popullin dhe vendin tonë”.
Prioriteti i tij është t’ia paraqesë çështjen e Ukrainës drejtpërdrejt Trumpit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Heorhii Tykhyi në të njëjtën ditë tha se Ukraina po përgatitej për bisedime në “nivelet më të larta”.
“Qëndrimi ynë është i qartë: të gjithë në Ukrainë duan t’i japin fund luftës me kushte që janë të drejta për Ukrainën.”
Në zemër të çdo zgjidhjeje për Kievin do ishin garancitë afatshkurtra se një armëpushim mund të mbikëqyret dhe garancitë afatgjata për Ukrainën që do pengonin Putinin nga përdorimi i armëpushimit për të rigrupuar dhe rinisur luftën.
Kjo duhet të përfshijë “investime të rëndësishme në fuqinë ajrore, mbrojtjen e raketave balistike, një divizion të rëndë të pajisur plotësisht me standardet e NATO-s”, thonë Dickson dhe Holoëinsky. Ndërkohë, ata shtojnë: “Zelensky duhet të ketë një këndvështrim të gjatë strategjik, duke kuptuar se territoret e humbura në realitet përfaqësojnë një gjymtyrë gangrenoze që duhet të priten për të shpëtuar trupin e shëndetshëm”.
Në një minimum absolut Moska do kërkojë që Ukraina të lëshojë territorin që ka humbur dhe të braktisë përpjekjet e saj për t’u bashkuar me NATO-n, për të cilën Trump beson se ishte një provokim për Rusinë.
Në vend të kësaj, Kievi do duhet të negociojë garanci të tjera, siç tha Zelensky në një intervistë në televizionin italian javën e kaluar, që do “parandalonin Rusinë nga rikthimi me agresion”.
Por Kremlini ka të ngjarë të kërkojë shumë më tepër.
Kievi “pritet të pranojë kufizime të gjera në madhësinë e forcave të tij të armatosura dhe në llojet e sistemeve të armëve që lejohet të zotërojë. Këto propozime nuk janë një recetë për një zgjidhje të qëndrueshme,” sipas Serhii Kuzan të Këshillit Atlantik.
Moska nuk ka treguar asnjë shenjë të braktisjes së kërkesës së saj maksimaliste për tërësinë e të katër rajoneve që pretendon se ka aneksuar.
“Kjo do nënkuptonte dorëzimin e sasive të mëdha të territorit të papushtuar ukrainas duke përfshirë qytetin e Zaporizhzhia”, vëren Kuzan.
Tani për tani, si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe shumë analistë, nuk shohin dëshirë nga asnjëra palë për të filluar bisedimet.
“Nuk ka asnjë pritshmëri tani që asnjëra palë të jetë gati për negociata,” tha ditët e fundit zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Ndërsa Kremlini dhe Trump kanë shprehur gatishmërinë për një samit, përpjekjet e parakohshme për të çuar përpara negociatat mbi konfliktin e Ukrainës mund të dështojnë, sipas komentatorit rus Giorgy Bovt.
“Nëse takimi mbahet para kohe, kur kushtet për paqe ende nuk janë pjekur, do bëjë më shumë dëm sesa dobi. Mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të madh. Në të njëjtën kohë, të dyja palët ndërluftuese janë ende në fushëbetejë, duke mos i konsideruar forcat e tyre të shterura”, shkroi ai në Telegram.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani