Administrata Biden vulos goditjen ndaj automjeteve kineze


Administrata në largim e presidentit Biden po finalizon rregullat që do ndalojnë në mënyrë efektive pothuajse të gjitha makinat dhe kamionët kinezë të hyjnë në tregun amerikan, si pjesë e një goditjeje ndaj softuerit dhe harduerit të automjeteve nga Kina.

Lëvizja e fundit e Uashingtonit kundër automjeteve kineze vjen pasi Departamenti i Tregtisë tha këtë muaj se po konsideronte një goditje të ngjashme ndaj dronëve të prodhuar në Kinë, në vazhdën e rritjes së madhe të tarifave të vitit të kaluar për importet e automjeteve të saj elektrike.

“Është me të vërtetë e rëndësishme sepse ne nuk duam dy milionë makina kineze në rrugët tona dhe më pas të kuptojmë se kemi një kërcënim,” tha sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo për Reuters në një intervistë, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.

Në shtator, departamenti propozoi një ndalim gjithëpërfshirës për softuerin dhe harduerin kinez në automjetet që lëvizin në rrugët amerikane, me ndalime të softuerit që do hyjnë në fuqi në vitin 2027 dhe ato të harduerit në 2029. Ato gjithashtu ndalojnë kompanitë kineze të makinave që të testojnë vetë drejtimin e makinave në rrugët e SHBA-së.

Rregullat mbulojnë gjithashtu automjetet dhe përberësit rusë.

Departamenti Amerikan i Tregtisë tha në rregullat përfundimtare se po bënte disa ndryshime, të tilla si përjashtimi i automjeteve më të rënda se 4.5 ton nga kërkesat, të cilat do lejonin që BYD e Kinës të vijojë të montojë autobusët elektrikë në Kaliforni.

Të hënën, departamenti tha se planifikonte të propozonte së shpejti rregulla që ndalojnë softuerin dhe harduerin kinez në automjetet më të mëdha tregtare, duke përfshirë kamionët dhe autobusët. Një vendim përfundimtar do varet nga administrata e ardhshme e Trump.

Në një ndryshim, departamenti tha se ndalimet nuk do përfshinin softuerin kinez të zhvilluar përpara se rregullat e reja të hynin në fuqi, për sa kohë që ai nuk po mirëmbahej nga një firmë kineze.

Kjo do të thotë që General Motors dhe Ford, potencialisht mund të vijojnë të importojnë disa automjete të prodhuara në Kinë për blerësit amerikanë, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë.

Aleanca për Inovacionin Automobilistik, që përfaqëson GM, Toyota, Volksëagen, Hyundai dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj të automjeteve, kërkuan pa sukses një vit shtesë për të përmbushur kërkesat e harduerit.

Në shtator, administrata e Bidenit finalizoi rritje të mprehta të tarifave për importet e automjeteve elektrike kineze dhe këtë muaj vendosi kompaninë kryesore kineze të baterive CATL në listën e firmave të akuzuara për lidhje me ushtrinë e vendit.

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, dëshiron të parandalojë importet kineze të automjeteve, por është i hapur për prodhuesit kinezë të automjeteve që ndërtojnë automjete në Shtetet e Bashkuara.