Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Elton Qynos: Gjykata i njohu shkrimet e tij si shprehje e së vërtetës


Në një mini-intervistë për Hashtag.al, Dorian Matlija, avokati i gazetarit Elton Qyno, u shpreh se heqja e masës detyrim paraqitje nga ana e gjykatës është një vendim me rëndësi sa i takon prestigjit të gazetarit, ndërsa në komentet që bëri mbi seancën avokati Matlija zbuloi se gjykata i ka cilësuar shkrimet e Qynos si raportim i së vërtetës, pavarësisht se kush mund të kenë qenë të interesuarit direkt ose indirekt të këtyre publikimeve.

 

Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës së Apelit për rrëzimin e masës së sigurimit ndaj gazetarit Elton Qyno?

Vendimi i GJKKO të Apelit është një hap i rëndësishëm për garantimin e lirisë së shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve që mbulojnë çështje sensitive si krimi i organizuar. Masa e sigurimit u konstatua që ishte tërësisht e papërshtatshme për gazetarin Elton Qyno. Në dukje, ajo masë duket shumë e lehtë dhe konkretisht për gazetarin Qyno nuk ishte aspak problem të paraqitej në SPAK një herë në muaj kur ai paraqitet çdo ditë aty për të raportuar mbi çështje të krimit të organizuar. Por, sidoqoftë, kjo masë krijonte një efekt diskreditues ndaj tij, si dhe jepte tërthorazi një mesazh edhe ndaj kolegëve të tjerë gazetarë.

Sipas gjykatës, shkrimet nuk rezultonin që të kishin përmbajtje të dyshuar si të pavërtetë dhe për sa kohë që ato mund të jenë shkrime që pasqyrojnë të vërtetën, gazetari ka për detyrë ti publikojë, pavarësisht se kujt mund t’i interesojnë tjetër përveç publikut të gjerë.

Prokuroria e Posaçme pretendoi se gazetari kishte fshirë artikuj, por provat tregonin të kundërtën, që artikujt ishin ende online. Prokuroria ngriti edhe pretendimin që gazetari komunikonte me kreun e dyshuar të një bande, por kjo rezultoi e gabuar në sallën e gjyqit, duke iu referuar dosjes, të cilën vetë Prokuroria e ka servirur në Gjykatë.

Me pak fjalë, për Elton Qynon organi i akuzës është tërësisht i paqartë për rolin e tij si gazetar dhe akuza e artikuluar deri tani është tepër e dobët dhe për rrjedhojë nuk ka aspak vend për hetime nën masa sigurimi të çdo lloji.

2.Çfarë ndikimi ka kjo çështje mbi gazetarinë në Shqipëri?

Raportimi mbi krimin e organizuar është i vështirë dhe i rrezikshëm, por edhe i domosdoshëm   sepse vetëm përmes një gazetarie të lirë dhe të paintimiduar publiku mund të informohet për zhvillimet e botës së nëndheshme kriminale. Rrëzimi i kësaj mase sot është një mesazh qetësimi për gjithë komunitetin e gazetarëve, të cilët nevojiten të punojnë të mbrojtur nga ndërhyrjet e çdo pushteti, përfshirë edhe atë të drejtësisë.

3.Çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Natyrisht në vijim pritet të zhvillohen hetime të mëtejshme dhe të qartësohet pozicioni i gazetarit në raport me personat e tjerë të përfshirë në hetim. Sigurisht që unë kam edhe pritshmëri për reflektim nga ana e Prokurorisë së Posaçme që së pari të kuptojë se si funksionon gazetaria e këtij lloji, dhe, së dyti, të përdorë metoda korrekte të hetimit, duke shmangur shkeljen e standardeve përkatëse. Të mos harrojmë që telefonat e gazetarit Elton Qyno janë ende nën sekuestro, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka urdhëruar tashmë të kthehen sepse janë mbajtur për një kohë të paarsyeshme, si dhe pritet të shprehet Gjykata Kushtetuese për shkeljen e standardeve që shkaktoi edhe reagimin e paprecedent të Komitetit për të Drejtat e Njeriut në OKB.

Prokuroria e Posaçme duhet të mësojë të gjejë saktë se ku kalon ajo vija e hollë ku puqet krimi si dukuri me gazetarinë si vrojtues afër tij.