Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke komentuar pezullimin e çështjes “Xibraka” nga SPAK, në emisionin “Open” në News24 theksoi se prokurori i rastit, pas ngjarjes së Elbasanit, doli në një konferencë për mediat dhe u rreshtua me propagandën e Partisë Socialiste, duke thënë se nuk ishte gjetur asnjë material zgjedhor në automjetin që shkaktoi incidentin.
Sipas Bardhit, më pas ky prokuror ka ndryshuar qëndrim dhe ka pohuar të kundërtën e deklaratave të tij fillestare.
“Hetimet mbi çështjen u kryen po nga ky prokuror, i cili, sipas Bardhit, kishte ngarkesë politike. Ai ka fshehur identitetin e katër personave të përfshirë në ngjarje, të cilët ishin të armatosur dhe qëlluan të parët,” tha Bardhi, duke e akuzuar atë se ka bërë manipulim të provave dhe ka mbrojtur kriminelët, duke u dhënë atyre “certifikatën e virgjërisë.”
Bardhi shtoi se në 10 maj 2024 ka kërkuar largimin e prokurorit të përfshirë në këtë rast, duke argumentuar se nuk kishte besim te ai. “Nuk kam të dhëna që ai është i korruptuar, por në çështjet me ngarkesë politike, ai është një ushtar i partisë në pushtet dhe manipulues i çështjeve që heton,” deklaroi ai.
Sipas Bardhit, kërkesa e tij për ndërhyrje nuk u mor parasysh nga autoritetet, me arsyetimin se ai nuk është një person i interesuar në këtë çështje.