Vendosni fjalën kyçe....

Drafti përfundimtar i armëpushimit në Gaza u paraqitet Hamasit e Izraelit


Ndërmjetësuesit i dhanë Izraelit dhe Hamasit një draft përfundimtar të një marrëveshjeje të hënën për t’i dhënë fund luftës në Gaza, tha një zyrtar i informuar mbi negociatat, pas një “përparimi” në mesnatë në bisedimet ku morën pjesë të dërguarit e si Joe Biden ashtu edhe Donald Trump.

Zyrtari tha se teksti për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve u paraqit nga Katari për të dyja palët në bisedimet në Doha, ku përfshiheshin shefat e agjencive të spiunazhit izraelit Mossad dhe Shin Bet dhe kryeministrin e Katarit.

Steve Witkoff, i cili do bëhet i dërguari i SHBA-së kur Trump të kthehet në presidencën e SHBA-së javën e ardhshme, mori pjesë në bisedime, tha zyrtari. Një burim amerikan tha se i dërguari i administratës së Bidenit në largim, Brett McGurk ishte gjithashtu atje.

“24 orët e ardhshme do jenë thelbësore për arritjen e marrëveshjes,” tha zyrtari, duke e karakterizuar draftin si rezultat i një përparimi të arritur në orët e para të së hënës.

Emiri në pushtet i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, priti një delegacion të Hamasit të kryesuar nga zyrtari i lartë Khalil al-Hayya për të diskutuar bisedimet e armëpushimit, tha zyra e emirit.

Radioja izraelite Kan, duke cituar një zyrtar izraelit, raportoi të hënën se delegacionet izraelite dhe të Hamasit në Katar kishin marrë një draft dhe se delegacioni izraelit kishte informuar udhëheqësit e Izraelit. Izraeli, Hamasi dhe Ministria e Jashtme e Katarit nuk iu përgjigjën kërkesave për konfirmim apo koment.

Zyrtarët në të dyja palët, ndërsa nuk konfirmuan se ishte arritur një draft përfundimtar, përshkruan përparimin në bisedime.

“Negociatat për disa çështje thelbësore kanë bërë përparim dhe ne po punojmë për të përfunduar atë që mbetet së shpejti,” i tha Reuters të hënën një zyrtar i Hamasit, duke kërkuar të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se negociatat po bashkërendoheshin mes ekipeve të Biden dhe Trump.

“Ka përparim, duket shumë më mirë se më parë. Unë dua të falënderoj miqtë tanë amerikanë për përpjekjet e mëdha për të siguruar një marrëveshje pengjesh,” u tha Saar gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë punuar për më shumë se një vit në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Gaza, deri më tani pa rezultat.

Në Kajro, një zyrtar egjiptian i sigurisë i tha Reuters se drafti i dërguar dy palëve ndërluftuese nuk përfshin marrëveshjen përfundimtare, por “synon të zgjidhë çështjet e pazgjidhura që kishin penguar negociatat e mëparshme”.