Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndodhet në Parlamentin Europian në Bruksel, ku po merr pjesë në një aktivitet të organizuar nga EPP dhe ECR, së bashku me deputetët e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi.
Gjatë takimeve me kryetarin e Partive Popullore, Manfred Weber, dhe deputetë të tjerë, Mediu ka shpjeguar situatën në Shqipëri, duke theksuar pamundësinë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për shkak të ndikimit të krimit të organizuar dhe përdorimit të shtetit për manipulim.
Ai theksoi se zgjedhjet e lira janë një detyrim për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për BE, duke kërkuar një qeveri kujdestare për të garantuar zgjedhje të ndershme.
Postimi i Mediut:
Bruksel në Parlamentin Europian
Së bashku me kolegët e Partisë Demokratike, Vokshi, Tabaku dhe Bylykbashi jemi në një aktivitet 2 ditor të organizuar nga EPP dhe ECR.
Gjatë takimeve me kryetarin e Partive Popullore Manfred Weber dhe deputetë të partive popullore grupi më i madh në Parlamentin Europian shpjeguam situatën e rëndë në Shqipëri, pamundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërhyrjen dhe ndikim e krimit të organizuar në blerjen e votave, intimidimin e votuesve dhe përdorimin e shtetit dhe administratës në zgjedhje.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend i cili kërkon të bëhet anëtar i BE.
Nevoja për një qeveri kujdestare është domosdoshmëri, për zgjedhjet, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mbaj larg duart e qeverisë për të manipuluar zgjedhjet.