Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi pranon propozimin për armëpushim në Gaza, marrëveshja me Izraelin një hap larg


Hamasi ka pranuar një projektmarrëveshje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve, thanë të martën dy zyrtarë të përfshirë në bisedime. Ndërmjetësi Katar tha se negociatat ishin në “pikën më të afërt” për të nënshkruar një marrëveshjen.

Associated Press mori një kopje të marrëveshjes së propozuar dhe një zyrtar egjiptian si dhe një zyrtar i Hamasit konfirmuan autenticitetin e saj. Një zyrtar izraelit tha se është bërë përparim, por hollësitë janë ende duke u përmbyllur. Plani duhet t’i paraqitet kabinetit izraelit për miratim përfundimtar.

Të tre zyrtarët folën në kushte anonimiteti. Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë kaluar vitin e shkuar duke u përpjekur të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund luftës 15-mujore dhe për të siguruar lirimin e dhjetëra pengjeve të kapur në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, që shkaktoi luftën. Rreth 100 izraelitë janë ende robër brenda Gazës dhe ushtria beson se të paktën një e treta e tyre janë të vdekur.

Zyrtarët kanë shprehur optimizëm në rritje se mund të përfundojnë një marrëveshje përpara betimit më 20 janar të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i dërguari i të cilit në Lindjen e Mesme i është bashkuar negociatave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha në një konferencë javore të martën se negociatat në vazhdim janë pozitive dhe produktive, ndërsa nuk pranoi të hynte në hollësitë e bisedimeve të ndjeshme.

“Sot, ne jemi në pikën më të afërt ndonjëherë për të pasur një marrëveshje,” tha ai.

Ndërkohë Hamasi tha në një deklaratë se negociatat në vazhdim kishin arritur në “fazën e tyre përfundimtare”.

Ofensiva ka kthyer në rrënoja zona të mëdha të territorit dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës, me qindra mijëra të grumbulluar në kampe tendash përgjatë bregdetit ku uria është e përhapur ndërsa më shumë se 46 mijë palestinezë janë vrarë.

Sulmet izraelite në të gjithë Gazën gjatë natës dhe të martën vranë të paktën 18 palestinezë, duke përfshirë dy gra dhe katër fëmijë, ndërsa rebelët Houthi të Jemenit qëlluan dy raketa ndaj Izraelit. Askush nuk u plagos nga sulmi.

Një marrëveshje me tre faza

Marrëveshja me tre faza, e bazuar në një kornizë të përcaktuar nga presidenti amerikan Joe Biden dhe e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do fillonte me lirimin gradual të 33 pengjeve gjatë një periudhe gjashtëjavore, duke përfshirë gra, fëmijë, të moshuar dhe civilë të plagosur në këmbim të qindra grave dhe fëmijëve palestinezë të burgosur nga Izraeli.

Në mesin e 33 të liruarve do ishin pesë ushtarë izraelitë, secili prej të cilave do lirohej në këmbim të 50 të burgosurve palestinezë, duke përfshirë 30 militantë të dënuar që po vuajnë dënim të përjetshëm. Deri në fund të fazës së parë, të gjithë robërit civilë – të gjallë apo të vdekur – do jenë liruar.

Gjatë kësaj faze të pare 42-ditore, forcat izraelite do tërhiqen nga qendrat e popullsisë, palestinezët do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazën veriore dhe do ketë një rritje të ndihmave humanitare, me rreth 600 kamionë që do hyjnë çdo ditë.

Hollësitë e fazës së dytë ende duhet të negociohen gjatë të parës. Këto hollësi mbeten të vështira për t’u zgjidhur dhe marrëveshja nuk përfshin garanci me shkrim se armëpushimi do vijojë derisa të arrihet një marrëveshje. Kjo i lë mundësinë Izraelit që të rifillojë fushatën e tij ushtarake pas përfundimit të fazës së parë.

Tre ndërmjetësit, megjithatë, i kanë dhënë Hamasit garanci verbale se negociatat do vijojnë siç është planifikuar dhe se ata do bëjnë presion për zbatimin e fazës së dytë dhe të tretë përpara përfundimit të së parës, tha zyrtari egjiptian.

Marrëveshja do t’i lejonte Izraelit gjatë gjithë fazës së parë të mbetet nën kontrollin e Korridorit të Filadelfit, brezi i territorit përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, nga i cili Hamasi fillimisht kishte kërkuar tërheqjen e Izraelit. Por Izraeli do tërhiqej nga Korridori Netzarim, një brez në të gjithë Gazën qendrore ku kishte kërkuar një mekanizëm për të kontrolluar për armë palestinezët kur ata të ktheheshin në veri të territorit.

Në fazën e dytë, Hamasi do lironte robërit e mbetur të gjallë, kryesisht ushtarë meshkuj, në këmbim të më shumë të burgosurve dhe “tërheqjes së plotë” të forcave izraelite nga Gaza, sipas projektmarrëveshjes. Por Hamasi ka thënë se nuk do i lirojë pengjet e mbetura pa një përfundim të luftës dhe një tërheqje të plotë izraelite, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar në të kaluarën të rifillojë luftimet nëse nuk eliminohen aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Nëse në këto bisedime nuk arrihet një qeveri alternative për Gazën, ajo mund të lërë Hamasin në krye të territorit.

Në një fazë të tretë, trupat e pengjeve të mbetura do kthehen në këmbim të një plani rindërtimi tre dhe pesëvjeçar që do kryhet në Gaza nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Presioni në rritje përpara betimit të Trump

Izraeli dhe Hamasi janë vënë nën presion të ri për të ndalur luftën në prag të betimit të Trump javën e ardhshme. I dërguari i tij në Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, së fundmi iu bashkua ndërmjetësuesve të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit në kryeqytetin e vendit të Gjirit, Doha.

Trump tha të hënën vonë se një armëpushim ishte “shumë afër”.

“E kuptoj ka pasur një shtrëngim duarsh dhe ata po e përfundojnë atë dhe ndoshta deri në fund të javës kjo do arrihet,” i tha ai kanalit kabllor amerikan Newsmax.

Hamasi ka fajësuar Izraelin për pengesat e përsëritura në negociata, duke thënë se në më shumë se një rast, grupi militant kishte pranuar një propozim nga ndërmjetësit duke parë më pas Izraelin ta kundërshtonte atë ose të fillonte një operacion të ri ushtarak menjëherë më pas.

Izraeli dhe aleati i tij i ngushtë, Shtetet e Bashkuara, kanë fajësuar Hamasin për pengesat.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, në sulmin e 7 tetorit dhe rrëmbyen 250 të tjerë. Rreth gjysma e atyre pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor 2023.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 46,000 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk thotë se sa nga të vdekurit ishin luftëtarë.

Vijojnë sulmet në Gaza

Dy sulme në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah, gjatë natës dhe të martën vranë dy gra dhe katër fëmijët e tyre, të cilët shkonin nga 1 muaj deri në 9 vjeç. Njëra nga gratë ishte shtatzënë dhe foshnja nuk mbijetoi, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa, i cili mori trupat.

12 persona të tjerë u vranë në dy sulme në qytetin jugor të Khan Younis, sipas Spitalit Evropian.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite. Izraeli thotë se ka në shënjestër vetëm militantët dhe i akuzon ata se fshihen mes civilëve në strehimore dhe kampe për të zhvendosurit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani