Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Tiranës/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për Alqi Bllakon. Seanca e radhës më 29 janar


Ka nisur procesi gjyqësor në themel për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste.

Ai ka kërkuar të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se, nëse shpallet fajtor, i ulet 1/3 e dënimit.

 SPAK ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur provat dhe faktet që disponon lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dhënë edhe argumentet përse kërkon dënimin e Alqi Bllakos.

Pas shqyrtimit, Gjykata e Posaçme vendosi që të pranojë kërkesën e Alqi Bllakos për gjykim të shkurtuar.

Kërkesa është bërë në seancë paraprake dhe po i njëjta kërkesë u bë nga Bllako edhe ditën e sotme në sallën e gjyqit. Gjykata ftoi palët për konkluzionet përfundimtare. SPAK kërkon kohë që të bëjë gati pretencën për Alqi Bllakon dhe seanca do të shtyhet për në një datë tjetër.

Seanca e radhës do të mbahet në datë 29 janar ora 10:00. Në këtë seancë do të jepet pretenca për Alqi Bllakon. Në të njëjtën seancë do të jepen edhe argumentet e mbrojtjes duke qenë se janë më gjykim të shkurtuar dhe provat u janë vënë në dispozicion palëve.

Gjatë hetimeve janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera nga i pandehuri, në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Dyshohet se ka përfituar para në vlerën e rreth 120 mijë euro dhe 7 milionë e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhani, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit. Bllako i ka propozuar Bezhanit të ofronte konsulencë juridike për çështjen e inceneratorit të Tiranës, para se të bëhej propozimi i pakërkuar lidhur me këtë çështje.

Bllako i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësojë, ndërkohë që Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit Koka, edhe pse paguhej nga shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. 37 fashikuj janë paraqitur nga SPAK për çështjen e Alqi Bllakos. Gjykata është tërhequr në dhomë këshillimi për t’u shprehur për gjykimin e shkurtuar.