Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington D.C., ku u mbajtën edhe takime të rëndësishme për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të burgjeve në Shqipëri.
Ndër takimet kryesore ishte ai drejtorin e ICITAP-it, Gregory Ducot, dhe ekspertin William Sage.
Qose theksoi rëndësinë e projekteve të reja që synojnë rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e programeve rehabilituese dhe të riintegrimit për të dënuarit.
I shoqëruar edhe nga drejtori i Inteligjencës Korrektuese në DPB, Edlir Ajazi, ai zhvilloi një takim edhe me Errol Etting, drejtor Ekzekutiv i Divizionit të Inteligjencës dhe Hetimeve në Departamentin e Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese të Maryland-it.
Biseda u përqendrua në shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e qasjeve moderne në fushën e inteligjencës korrektuese.
“Vizita ishte pjesë e një programi studimor të organizuar nga ICITAP, që përfshinte edhe pjesëmarrjen në Konferencën Dimërore të Shoqatës Korrektuese Amerikane në Orlando, Florida. Programi, i financuar nga ICITAP, përfaqëson një mbështetje të çmuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit të SHBA për përmirësimin e sistemit korrektues shqiptar”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.
Drejtori Qose deklaroi se temat e trajtuara, si siguria, teknologjia informative, programet rehabilituese dhe menaxhimi modern i burgjeve, “janë thelbësore për të ndërtuar një sistem korrektues më efikas, të sigurt dhe human”.
Qëllim është përmirësimi i standarteve dhe me parametra ndërkombëtarë.