Vendosni fjalën kyçe....

Kreu transaksione të kundërligjshme me vlerë mbi 1 milion euro, arrestohet shtetasi turk në Tiranë


Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin turk, Ferhat Karakus, 41 vjeç, i cili akuzohet për kryerjen e transaksioneve të kundërligjshme me vlerë mbi 1 milion euro, duke përdorur mashtrim kompjuterik.

Ai, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, përdorte një kartë të një shtetasi tjetër, që nuk ndodhej në Shqipëri, për të kryer transaksionet përmes biznesit të tij.

Mësohet se turku i arrestuar ishte kamufluar me një biznes fruta perimesh në Shqipëri.
BW raporton se 41-vjeçari kishte hapur një tezge me fruta perime dhe e kishte regjistruar biznesin ne QKB, me synimin për ta zgjeruar me aktivitetet te tjera.

Ndërkohë karta që ka kryer transaksione ishte e hapur në Belgjikë, kartë të cilën e përdorte për transaksione të biznesit.

Njoftimi: 

Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernerike e DPPSh-së, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Arrestohet shtetasi turk Ferhat Karakus, 41 vjeç, i cili në bashkëpunim me shtetas të tjerë, me anë të mashtrimit kompjuterik, kishte kryer transaksione të kundërligjshme, me vlerë mbi 1 milion euro.

Ky shtetas, duke përdorur poset e biznesit të tij, kishte kryer transaksione të kundërligjshme, me anë të një karte të një shtetasi tjetër, i cili në momentin e kryerjes së transaksionit nuk ndodhej në Shqipëri.

Këto transaksione janë raportuar si veprime mashtrimi dhe nga kompania “MasterCard”.

Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese homologe, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të implikuar.