Vendosni fjalën kyçe....

Ministri izraelit kërcënon të largohet nga kabineti Netanyahu


Ministri izraelit i partisë së djathtë Itamar Ben-Gvir kërcënoi të martën se do largohej nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nëse ai pranon një armëpushim me Hamasin në Gaza, që po negociohet në bisedimet në Katar.

Ben-Gvir, largimi i të cilit nuk do e rrëzonte qeverinë e Netanyahut, i kërkoi ministrit të Financave Bezalel Smotrich t’i bashkohej atij në një përpjekje të fundit për të parandaluar një marrëveshje armëpushimi, të cilën ai e përshkroi si një kapitullim të rrezikshëm ndaj Hamasit.

“Kjo lëvizje është mundësia jonë e vetme për të parandaluar arritjen e marrëveshjes dhe për të parandaluar dorëzimin e Izraelit ndaj Hamasit, pas më shumë se një viti lufte të përgjakshme, në të cilën më shumë se 400 ushtarë të ushtrisë së Izraelit kanë rënë në Rripin e Gazës dhe për të siguruar që vdekjet e tyre të mos jenë të kota,” tha Ben-Gvir në X.

Smotrich tha të hënën se ai kundërshton marrëveshjen, por nuk kërcënoi të prishë koalicionin e Netanyahut. Shumica e ministrave pritet të mbështesin marrëveshjen e armëpushimit me faza, e cila detajon ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve.

Ben-Gvir u bëri jehonë komenteve të Smotrich, i cili tha të hënën Izraeli duhet të vijojë fushatën ushtarake në Gaza deri në dorëzimin e plotë të grupit militant palestinez Hamas, sulmi i të cilit më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën.

Rreth 1,200 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit në 2023 ndaj Izraelit dhe më shumë se 250 të tjerë u morën peng, sipas të dhënave izraelite.

Që atëherë, më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, me një pjesë të madhe të enklavës të shkatërruar dhe shumicën e popullsisë së saj të zhvendosur.