Vendosni fjalën kyçe....

Probleme me energjinë elektrike në Lezhë, Kurbin, Mirditë, Prrenjas dhe Pogradec


Kushtet e motit janë përmirësuar në Lezhë, por problemet me energjinë elektrike vazhdojnë në bashkitë Kurbin, Lezhë dhe Mirditë, ku po punohet për riparimin e defekteve dhe pastrimin e qytetit nga mbeturinat.

Në Mirditë, po punohet për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre. Kuotat e lumenjve Drin dhe Mat janë në nivele minimale, ndërsa hidrovorët janë në gatishmëri.

Në Kukës, temperatura të ulëta dhe erëra të forta vijojnë, ndërkohë që reshjet e borës janë ndërprerë. Strukturat e Emergjencave Civile janë në terren, duke punuar për hapjen e rrugëve dhe pastrimin e tyre.

Rrugët janë hapur në disa zona, ndërsa punimet do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme në fshatra të tjera. Mësimi është i ndërprerë në 20 shkolla të bashkive Kukës dhe Has.

Ndërkaq një defekt i rëndë në linjën e Tensionit të lartë Prrenjas -Pogradec ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Prrenjasit dhe Mokrës së Pogradecit duke lënë pa energji me mijëra familje.

Burime zyrtare bënë me dije se po punohet nga grupet e OST të Qarkut Korçë dhe Elbasan për identifikimin dhe riparimin e defektit që nga dita e djeshme, por ende nuk është arritur në zgjidhjen e këtij problemi.