Një strukturë ku përdoruesit mund të marrin drogë nën mbikëqyrjen e infermierëve do hapet në Glasgow, Skoci, të hënën pas gati një dekade debati mbi mënyrën sesi qyteti i etiketuar si “kryeqyteti evropian i drogës” për vdekjet e lidhura me narkotikët të trajtojë statusin e padëshiruar .
Duke ofruar pije të nxehta dhe një sallë pritjeje me divane, si dhe kabina për injeksione, Institucioni për Konsumimin e Sigurt të Drogës është i pari i këtij lloji në Britani dhe ndjek nisma të ngjashme në qytete të tjera anembanë botës, përfshirë Nju Jorkun.
Ata që përdorin objektin, i cili është quajtur “Thistle” në një referencë për emblemën kombëtare të Skocisë, do sjellin me vete drogat e tyre. Stafi nuk do u bëjë injeksionet, por do të jetë gati për të mbikëqyrur sigurinë.
Si do funksionojë dhoma e konsumit të drogës?
Objekti i ri, i cili do të funksionojë gjatë gjithë vitit, ka një zonë pritjeje dhe një hapësirë të veçantë me kabina individuale ku mund të bëhet injektimi, një zonë rikuperimi dhe një zonë përkujdesjeje pasuese ku do të ofrohen këshilla nga organizata e shoqata mbështetëse.
Përdoruesit do kenë qasje në shiringa, gjilpëra dhe shtupë të pastra.
Çdo kabinë ka një pasqyrë që është pak e anuar në mënyrë që stafi të mund të vëzhgojë se injektimi po bëhet në mënyrë të sigurt, pa qenë shumë afër personit.
Qeveria skoceze po financon nismën duke siguruar 2.4 milionë dollarë në vit.