Çelja e kapitujve për negocim dhe anëtarësim në BE, e shoqëruar me reformat që po ndërmerren sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po sjellin ‘erëra të mira’ për ekonominë shqiptare.
BERZH thotë se reformat s’do të rrisin besimin e investitorëve, përmirësojnë klimën e biznesit, ndikojnë në kapitalin njerëzor, në tranzicionin e gjelbër si dhe në qeverisjen në tërësi.
Në strategjinë për Shqipërinë për vitet 2025-2030, BERZH thotë se përafrimi i ligjeve të vendit me ato të BE-së, do të ndikojë në reduktimin e informalitetit si dhe në fuqizimin ekonomik.
Por pavarësisht këtij zhvillimi, ekonomia e vendit thotë BERZH ndodhet mes rritjes së moderuar dhe sfidave të shumta. Në strategji theksohet se vendi u ka bërë ballë goditjeve të viteve të fundit (pandemia, lufta, kriza inflacionit etj), por ekonomia është e varur shumë nga turizmi, ndërkohë që kërcenim serioz është thatësira, që mund t’a ekspozojë ndaj krizave energjetike dhe uljes së prodhimit bujqësor. Për këto arsye kërkohet më shumë vëmendje tek investimet në burime të tjera të energjisë.
“Rreziqet kryesore negative lindin nga thatësirat e mundshme, duke ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor dhe në furnizimi me energji elektrike”, thuhet në strategji.
Përtej klimës, sfida janë çështjet e pazgjidhura të pronësisë, emigrimi, papunësia afatgjatë dhe korrupsioni.
“Autoritetet duhet të forcojnë hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet në rastet e korrupsionit, gjë që në përgjithësi mbetet një shqetësim”, vijon më tej strategjia.
Vlerësim pozitiv merr reforma në drejtësi, kryesisht SPAK, i cili “ka vazhduar të japë rezultate të mira në hetime, ndjekje penale dhe dënime në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thotë BERZH. Më tej thuhet se SPAK ka rritur besimin në drejtësi, që përballë ligjit të gjithë janë njësoj, teksa citohet se ka pasur hetime edhe në radhët e politikës.
Më tej BERZH ka prezantuar edhe prioritetet strategjike për periudhën 2025-2030 për Shqipërinë, me fokus përshpejtimi i tranzicionit të ekonomisë së gjelbër, mbështetje për sektorin privat për anëtarësimin në BE, do fokusohet tek përmirësimi i klimës së investimeve, përmirësimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.