Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me 2 vite burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Ky dënim është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove. Balilaj, e cila ka shërbyer për tre mandate si kryebashkiake, akuzohet për abuzim me dy tendera publikë.
Gjithashtu, GJKKO ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar disa ish-vartës të Balilajt. Anisa Petani, ish-nënkryetare e Bashkisë, është dënuar me 1 vit burg, i konvertuar në 2 vite shërbim prove, për të njëjtën akuzë.
Po ashtu, Enirjada Rizaj, ish-anëtare e komisionit të ofertave, dhe Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i Përgjithshëm, janë dënuar secili me 1 vit burg, i konvertuar në 2 vite shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, sipas nenit 258 të Kodit Penal.