Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë përkujton masakrën e Reçakut


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka përkujtuar masakrën e Reçakut në Kosovë.

Ai shkruan masakrimi i 45 burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm ishte ndër episodet më tronditëse dhe vendimtare të Kocovës në rrugën e saj drejt lirisë.

Ai shton se drejtësia për masakrën e Reçakut si dhe krimet e tjera ndaj shqiptarëve të Kosovës është thelbësore.

“Masakra e Reçakut 26 vite më parë, ku u martirizuan 45 burra, gra dhe të fëmijë të pafajshëm, mbetet një nga episodet më tronditëse dhe vendimtare në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Kjo tragjedi zgjoi ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke i hapur sytë për spastrimin etnik dhe aktet gjenocidale që regjimi i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë civile shqiptare. Sot, Reçaku është dhe do të mbetet simboli i sakrificës së jashtëzakonshme të një populli që luftoi për dinjitet dhe vetëvendosje, si dhe një dëshmi e nevojës së vazhdueshme për drejtësi dhe ballafaqim me të vërtetën. Drejtësia për Reçakun, ashtu si edhe për të gjitha krimet mizore kundër popullsisë civile në Kosovë, është thelbësore për të shëruar plagët e së shkuarës, që vijojnë të sëmbojnë për shkak të mohimit të tyre. Mirënjohje e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Ambasadorit William G. Walker, i cili, si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, i tregoi botës mbarë, se ajo që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit në Kosovë ishte spastrim etnik, ndërsa me librin e tij “Reçak: Historia e një krimi lufte”, ia dorëzoi historisë aktet barbare ndaj civilëve shqiptarë, duke e bërë të pamundur që ato të harrohen dhe përsëriten. I paharruar kujtimi i martirëve të Reçakut!”