Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu: Marrëveshja e shkëmbimit të të burgosurve mund të finalizohet brenda “ditëve ose orëve”


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se një marrëveshje e shkëmbimit të të burgosurve mund të finalizohet brenda disa ditëve ose orëve, transmeton Anadolu

Komentet e tij u raportuan nga mediat izraelite, duke përfshirë ‘Channel 12’ dhe ‘Yedioth Ahronoth’.

Duke folur gjatë një takimi me familjet e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza, Netanyahu tha se është “gati për një armëpushim të zgjatur me kusht që të gjithë të rrëmbyerit të kthehen”.

“Është çështje ditësh ose orësh. Ne presim përgjigjen e Hamasit dhe më pas mund të fillojmë menjëherë”, tha ai.

Netanyahu, i cili ka hedhur poshtë propozimet e mëparshme, përsëriti se përparimi varet nga përgjigja e Hamasit.

“Hamasi nuk është përgjigjur ende. Gjithçka që qarkullon në terren është thjesht spekulim. Sapo presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, rregullat e lojës do të ndryshojnë në mënyrë dramatike”, tha Netanyahu.

Netanyahu gjithashtu paraprakisht lëshoi një paralajmërim, duke theksuar se “çdo shkelje e armëpushimit do të përballet me një përgjigje të ashpër dhe të fortë, një që përfshin një lloj lufte që nuk e kemi parë më parë”.

Sipas transmetuesit ‘Channel 12’, kryeministri izraelit ishte planifikuar të zhvillojë konsultime urgjente të sigurisë mbrëmë për të diskutuar marrëveshjen në pritje.

Siç u detajua të hënën nga ‘The Times of Israel’, raportet sugjerojnë se përparimi i rëndësishëm në negociata erdhi pas presionit intensiv nga i dërguari amerikan, Brett McGurk gjatë një “takimi të tensionuar” me Netanyahun të shtunën.

Më herët, Hamasi tha se një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve në Gaza është në “fazat e saj përfundimtare”.

Katari tha se negociatat për armëpushim në Gaza janë në “detajet e tyre përfundimtare” dhe se shpallja e një marrëveshjeje është e “afërt”.

Izraeli aktualisht mban më shumë se 10.300 të burgosur palestinezë, ndërsa vlerësohet se 98 izraelitë mbahen në Gaza. Hamasi ka thënë se shumë pengje izraelite janë vrarë në sulmet ajrore izraelite ndaj Gazës.

Bisedimet e shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit, të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, janë ndërprerë disa herë për shkak të kushteve të reja të vendosura nga Netanyahu.

Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve e akuzojnë Netanyahun për pengim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli vazhdon luftën kundër Gazës, ku ka vrarë të paktën 46.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.