Polonia ka bërë thirrje për përgjegjësi të përbashkët në Evropë për çështjet e sigurisë, ndërsa ka marrë drejtimin e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian, në një periudhë pasigurie të lartë gjeopolitike.
“Muajt e ardhshëm pritet të jenë shumë të vështirë,” deklaroi ministri polak për Evropën, Adam Szłapka, në një intervistë, përcjell The Guardian.
“Ky është momenti për të thënë qartë se është koha të marrim përgjegjësinë për të ardhmen dhe sigurinë tonë.”
Polonia, një nga shtetet kryesore të BE-së në përballjen me agresionin rus në Ukrainë, theksoi se siguria evropiane duhet të përfshijë jo vetëm mbrojtjen ushtarake, por edhe sigurinë energjetike dhe ekonomike.
Me një histori të vështirë në marrëdhëniet me Rusinë, Polonia ka qenë një zë i fortë për një qasje më të ashpër ndaj Moskës. Pas agresionit rus në Ukrainë, qëndrimet e saj janë bërë të pranuara gjerësisht nga vendet e tjera evropiane.
“Ne kemi paralajmëruar prej vitesh për kërcënimin që Rusia përbën për stabilitetin dhe demokracinë në Evropë,” tha Szłapka.
Polonia ka marrë presidencën e BE-së nga Hungaria, një vend që shpesh ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Brukselin për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Ministri Szłapka kritikoi politikën e Hungarisë ndaj Moskës si “shqetësuese”, duke përmendur vizitën e kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Moskë si një veprim të paautorizuar nga BE-ja.
Tensionet janë përkeqësuar pasi Hungaria i dha azil politik ish-zëvendësministrit polak të drejtësisë, Marcin Romanowski, një lëvizje që Varshava e cilësoi si jomiqësore.
Një sfidë e madhe për Poloninë gjatë presidencës së saj është marrëdhënia me SHBA-në dhe administratën e ardhshme të Donald Trump-it.
Ndërsa Trump ka bërë deklarata të diskutueshme mbi Ukrainën dhe NATO-n, Varshava është duke pritur për të parë veprimet e para të administratës së tij.
“Kjo është një kohë për bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, sepse sa më të mira të jenë marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së, aq më e sigurt është kjo pjesë e botës,” përfundoi Szłapka.