Vendosni fjalën kyçe....

Detajet që fsheh aksidenti i Martin Manes dhe hetimi që shkaktoi panik në polici


Në 24 orët e fundit, po qarkullon informacioni sikur efektivi i Policisë Rrugore i vetëdëmtuar dhe plagosur aktualisht Azbi Spahiu, është bërë viktimë e një plani të supozuar për mbulimin e aksidentit që u shkaktua nga Martin Mane, i biri i sipërmarrësit të njohur Samir Mane.

Hashtag.al ka bërë disa interesime për të kuptuar dhe eksploruar nëse ngjarjet janë të lidhura. Sipas informacionit të marrë, rezulton se efektivi 57-vjeçar Azbi Spahiu është ndër më profesionalët, më të vjetrit dhe më korrektët në Policinë Rrugore të kryqeqytetit.

Ai së bashku me dy kolegë u ndodh në patrullën që administroi aksidentin pa pasoja jete të shkaktuar nga Martin Mane në rrugën “Xhorxh Bush”, ku Martin Mane pasi humbi kontrollin e mjetit, goditi me mjetin e tij dy automjete të tjera të parkuara.

Rrethanat e ngjarjes sugjerojnë se Martin Mane është ndaluar nga patrulla jo më shumë se 200 metra nga vendi i aksidentit dhe jo në kushtet e ikjes nga vendi i ngjarjes, por në një distancë me vendin e ngjarjes dhe i tronditur duke bërë rrotullime rreth zonës me makinë.

Nga informacioni i deritanishëm i sigururuar nga Hashtag.al rezulton se Martin Manes nuk i është bërë test alkooli dhe nga eprorët e efektivit Azbiu Spahiu, pasi është mësuar se cili ishte shkaktari i aksidentit, është kërkuar arrestimi i menjëhershëm i tij.

Azbi Spahiu bashkë me dy kolegët e tij për afro 20 minuta kanë komunikuar me telefon dhe kanë replikuar me eprorët duke këmbëngulur se në praktikën e punës dhe Kodin Rrugor nuk parashikohej arrestimi i personit në këto rrethana. Megjithatë nga eprorët është kërkuar që Mane të arrestohej për motive të paditura deri në këtë moment.

Të gjendur përballë këmbënguljes së eprorëve, tre efektivët e patrullës i kanë hedhur prangat Martin Manes, ndonëse ndaj tij nuk ishte bërë test alkooli, ndonëse skeda e tij si shofer nuk kishte asnjë precedent apo rast të mëparshëm problematik përveç gjobave të parkimit.

Ngarja ka marrë një kthesë dramatike kur në lojë ka hyrë prokuroria. Prokurori i çështjes ka evidentuar se arrestimi ishte në tejkalim të kompetencave dhe rrethanave që imponon Kodi Rrugor. Prokurori ka urdhëruar AMP-në policore që të nisë hetim të brendshëm, për të kuptuar dhe zbuluar pse u dha një masë kaq e ashpër ndëshkuese, ndërsa rrethanat nuk e justifikonin. Ky ishte momenti kur eprorët e efektivit Azbi Spahiu kuptuan se mund të kishin një problem.

Ky është momenti kur këta eprorë kanë kontaktuar tre policët e patrullës dhe u kanë kërkuar që të merrnin  përsipër përgjegjësinë për arrestimin e paligjshëm.

Të tre policët u gjendën para një paradoksi, sepse pikërisht atyre që këmbëngulën se arrestimi ishte i paligjshëm, iu kërkua në mënyrë informale të merrnin përsipër arrestimin.

Këto janë të dhëna dhe informacionet e mbledhura deri në këtë moment nga Hashtag.al, ndërsa hetimi i AMP-së dhe gama akoma më e gjerë e hetimit të prokurorisë ka shansin të zbulojë edhe detaje të tjera lidhur me ngjarjen.

Thelbi i ngjarjes duket se fshihet pikërisht në SMS-në që efektivi Azbi Spahiu u ka dërguar famijarëve, ku para se të vetëhidhej nga godina shkruajti se donin t’i shkatërronin karrierën me presione dhe lojëra.  /Hashtag.al