Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Italia 56-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e motrës dhe kunatit


Ekstradohet nga Italia Gjovalin Lesi, i dënuari me burgim të përjetshëm  i dënuar për vrasjen e motrës dhe bashkëshortit të saj në 1997.

Ai u kap gjatë operacionit ndërkombëtar “Verdikti” në prill 2024, falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane. 

Njoftimi:

Vijon bashkëpunimi me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Italia, i dënuari me burgim të përjetshëm, për vrasje të dyfishtë.

Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Verdikti”, i finalizuar në prill 2024, në Itali për kapjen e këtij shtetasi u zhvillua falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – Divizioni i 2-të, Romë.

Si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Romë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit Gjovalin Lesi, 56 vjeç, i lindur në Lezhë.

Në vitin 1998, Gjykata e Mirditës e ka dënuar këtë shtetas, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në vitin 1997, shtetasi Gjovalin Lesi, pas një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Rrasfik, Rubik, vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj.