Qeveria e Italisë zbuloi të martën një projektligj për të rregulluar vlerësimet në internet të hoteleve, restoranteve dhe atraksioneve turistike, në një përpjekje për të ndaluar recensuesit e rremë ose ata me pagesë.
Ligji, i cili ka nevojë për miratim parlamentar për të hyrë në fuqi, paraqet një sërë pengesash për rishikuesit e mundshëm, duke përfshirë detyrimin për të siguruar një kartë identiteti të verifikueshme, si dhe prova se ata e kanë vizituar vendin për të cilin duan të japin gjykimin.
Komentet do duhet të postohen brenda dy javësh nga vizita në fjalë dhe mund të hiqen nëse janë të pavërteta ose, në çdo rast, dy vjet pasi janë postuar. Projektligji nuk shpjegonte se kush do e vendosë nëse një vlerësim apo kritikë ishte e rreme.
Ligji i propozuar, i cili mund të amendohet në parlament, do nxjerrë jashtë ligjit gjithashtu rishikimet që paguhen ose sponsorizohen nëpërmjet stimujve – një praktikë e fshehtë që është mjaft e zakonshme.
“Sot shënojmë një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona”, tha ministrja e Turizmit Daniela Santanche.
Rishikimet e rreme janë tashmë të paligjshme, por shkeljet janë të vështira për t’u kapur. Projektligji sugjeron kontrollet e vlerësimeve dhe gjoba.
Projektrregulloret u mirëpritën nga disa lobe të industrisë, megjithëse kishte shqetësime për privatësinë dhe frikën se ndalimi i rishikimeve anonime mund të reduktonte në mënyrë drastike numrin e komenteve në internet për hotelet dhe restorantet.
“Komentet e rreme janë një problem për konkurrencën e ndershme midis kompanive sepse ato mund të kenë një ndikim të madh te klientët dhe janë gjithashtu një problem për konsumatorët që mund të mashtrohen”, tha për Reuters Michele Carrus, kryetar i shoqatës së konsumatorëve Federconsumatori.
“Problemi duhej të trajtohej. Është e vështirë ta bësh atë në mënyrën e duhur, por kam besim se mund ta arrijmë këtë gjatë debatit parlamentar,” shtoi ai.