Kreu i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, është vënë nën hetim nga SPAK për dyshimin e korrupsionit pasiv. Llaho, i cili është prokuror dhe drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke kërkuar përfitime materiale të paligjshme, përmes vjehrrit të tij.
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësi” dhe ka kërkuar masën e sigurimit “pezullim i ushtrimit të detyrës”.
Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën dhe vendosur pezullimin e Llaho nga detyra deri në përfundim të hetimeve.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar procedimin penal nr.73 të vitit 2024 për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Më dt.6 Janar 2025 është bërë regjistrimi i emrit të personit nën hetim, magjistratit K.Ll, me detyrë prokuror dhe njëkohësisht drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.3, dt. 14.01.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, në ngarkim të personit nën hetim, K.Ll.
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, në mënyrë të përmbledhur, ka rezultuar se:
Personi nën hetim, magjistrati, K.Ll dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij.