Vendosni fjalën kyçe....

Rivaliteti Bezos-Musk, Blue Origin lëshon në hapësirë raketën New Glenn


Kompania e hapësirës e themeluar nga Jeff Bezos, Blue Origin, ka arritur të lëshojë për herë të parë në orbitë raketën e saj New Glenn, një hap i rëndësishëm që sfidon dominimin e Elon Musk dhe SpaceX në industrinë hapësinore. 

Raketa New Glenn u lëshua nga Cape Canaveral Space Force Station në Florida, në orën 02:02 lokale (07:02 GMT), duke shënuar një moment historik për Blue Origin dhe duke hapur një kapitull të ri në garën tregtare për eksplorimin e hapësirës, përcjell BBC.

Lëshimi vendos përballë dy nga njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk, të cilët garojnë për të ndërtuar raketa më të mëdha dhe më të fuqishme, për të mbushur orbitën me satelitë, dhe për të krijuar stacione hapësinore private. 

Në një mesazh të shkruar në X (ish-Twitter), Musk uroi Bezos për suksesin: “Urime për arritjen e orbitës në përpjekjen e parë!” 

Dave Limp, CEO i Blue Origin, shprehu krenari për ekipin e tij: “Do të mësojmë shumë nga sot dhe do të përgatitemi për lansimin e radhës këtë pranverë.” 

Gjatë lëshimit, raketa 98 metra e gjatë New Glenn nuk arriti të rikthejë motorin kryesor të saj në një platformë në Oqeanin Atlantik.

Ky dështim për të rikuperuar motorin, i cili ishte projektuar për të qenë i ripërdorshëm, është një pengesë për ambiciet afatgjata të kompanisë. 

Megjithatë, lansimi i suksesshëm shënon një përparim të madh për Blue Origin, e cila ka mbetur prapa SpaceX për vite me radhë. 

New Glenn është emëruar pas John Glenn, astronautit të parë amerikan që orbitoi Tokën më shumë se 60 vite më parë.

Raketa ka kapacitete më të mëdha se Falcon 9 e SpaceX dhe mund të mbajë më shumë satelitë, duke u bërë pjesë e projektit të Bezos, Project Kuiper, për vendosjen e mijëra satelitëve të ulët për ofrimin e shërbimeve të internetit. 

Ky projekt do të konkurrojë drejtpërdrejt me shërbimin Starlink të Musk. 

 

E ardhmja e garës hapësinore 

SpaceX, me 134 lansime të suksesshme vetëm vitin e kaluar, mbetet lider në industrinë hapësinore. Megjithatë, ekspertët besojnë se suksesi i New Glenn do të sjellë konkurrencë të vërtetë midis dy kompanive, duke ulur kostot e operacioneve hapësinore. 

NASA tashmë ka kaluar nga përdorimi i fondeve publike tek kontratat private, duke i dhënë miliarda dollarë SpaceX për shërbime hapësinore.

Marrëdhëniet e ngushta të Elon Musk me presidentin e ardhshëm amerikan, Donald Trump, mund të forcojnë më tej pozitën e SpaceX. 

Me këtë zhvillim, gara për eksplorimin dhe kolonizimin e hapësirës duket më e gjallë se kurrë.