Vendosni fjalën kyçe....

SHBA lejon blerjen e helikopterëve ‘Black Hawk’ për FSK-në, Arben Fetoshi: Arritja më e madhe për vendin


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), i kanë dhënë dritën jeshile Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për blerjen e helikopterëve ushtarakë “Black Hawk”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë një vizite të tij në ShBA-së.

“Në fazën e tretë të tranzicionit ku do të kërkohen sisteme më të avancuara sidomos të mbështetjes ushtarake, që nënkupton helikopterë radarë të mbrojtjes ajrore. Dhe kemi marrë mbështetje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Republikën e Kosovës në ndërtimin e këtyre kapaciteteve”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministri madje i bëri një vizitë edhe fabrikës “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”.

Përveç helikopterëve, FSK këtë vit do të furnizohet edhe me pajisjen anti-tank Javelin me një numër të konsiderueshëm prej tyre.

Lidhur me këtë hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë se kjo është arritja më e madhe e Kosovës, shkruan Telegrafi.

Fetoshi thekson se ky hap është një element kyç në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili përforcon aftësitë e saj për të mbrojtur vendin dhe rajonin.

Avancimi i kapaciteteve të FSK-së me helikopterët amerikanë “Black Haëk” është një zhvillim tejet i rëndësishëm për konsolidimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Fetoshti duke shtuar se “veprimet e koordinuara me partnerët e NATO-s në tranzicionin e FSK-së, jo vetëm që i kanë demantuar skeptikët, por janë konfirmuar si domosdoshmëri për ngritjen e aftësive mbrojtëse në një mjedis gjithnjë e më të sfiduar të sigurisë”, thotë ai

Fetoshi ka vlerësuar se kalimi në fazën finale të zhvillimit të FSK-së, me fokus në sistemin e mbrojtjes ajrore, është një hap i rëndësishëm në këtë proces. Ai ka theksuar se “përmbyllja e fazës së dytë me kapacitetet e plota luftarake të këmbësorisë, sistemet e armatimit të rëndë dhe pajisjet e sofistikuara, i mundëson FSK-së kalimin në fazën finale të zhvillimit me sistemin e mbrojtjes ajrore”.

Drejtori i Institutit Octopus tutje ka shtuar se ky zhvillim ka një rëndësi të madhe për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, duke shtuar se miratimi i helikopterëve “Black Hawk” nga Shtetet e Bashkuara është arritja më e madhe e Kosovës, jo vetëm në aftësimin e saj për mbrojtje nga kërcënimet e jashtme, por edhe në afirmimin ndërkombëtar si faktor ndërveprimi me aleatët për paqen dhe sigurinë në botë.

Përveç kësaj, Fetoshi ka nënvizuar se Kosova ka dëshmuar përgjegjësi dhe angazhim konstruktiv në stabilitetin rajonal, pavarësisht provokimeve dhe sulmeve të vazhdueshme nga Serbia.

Ai ka theksuar se mbështetje e vazhdueshme nga partnerët si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Turqia ka siguruar një forcë moderne sipas standardeve të NATO-s.

“Tranzicioni i koordinuar dhe mbështetur nga aleatët kryesorë jo vetëm që ka siguruar ndërtimin e një force moderne sipas standardeve të NATO-s, por po ashtu i ka neutralizuar ‘shqetësimet’ dhe zërat kundërshtues për FSK-në,” ka shtuar Fetoshi.

Në kontekstin e zhvillimeve të fundit, ai ka theksuar se kërcënimet reale për sigurinë që ka shkaktuar agresioni i Rusisë në Ukrainë, kanë imponuar një dinamikë të re në prioritizimin e sigurisë.

“Duke pasur parasysh specifikat e veriut të Kosovës dhe në kuadrin e bashkëveprimit me misionin e NATO-s, nuk mendoj se do të ketë pengesa. Në raport me Serbinë, ndërtimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore është edhe një mesazh i qartë për realitetin tonë fqinjësor, të cilin, sa më parë që e pranon, do të jetë në të mirën e përbashkët të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi”, tha Fetoshi për Telegrafin.