Suedia filloi ndërtimin e një objekti ruajtjeje për mbetjet e karburantit bërthamor, duke u bërë vendi i dytë i tillë në botë, ku mbetjet me radioaktivitet të lartë do ruhen për 100,000 vjet.
Si të ruhen mbetjet radioaktive vdekjeprurëse derisa të jenë të sigurta, është një pyetje që ka prekur industrinë bërthamore që kur reaktorët tregtarë filluan të funksionojnë në vitet 1950. Finlanda është i vetmi vend afër përfundimit të një baze të përhershme të ruajtjes.
Shoqata Botërore Bërthamore llogarit se ka rreth 300,000 ton karburant bërthamor të shpenzuar globalisht në nevojë për asgjësim. Pjesa më e madhe e tij ruhet në pellgje ftohëse pranë reaktorëve që e kanë prodhuar.
Përveç karburantit të shpenzuar tashmë të prodhuar, një numër vendesh në Evropë dhe në mbarë botën po planifikojnë të ndërtojnë reaktorë të rinj për të siguruar energji elektrike për të fuqizuar kalimin nga karburantet fosile te energjia e gjelbër.
Depoja përfundimtare e Forsmark, rreth 150 kilometra në veri të Stokholmit në bregun lindor të Suedisë, do përbëhet nga 60 km tunele të varrosura 500 metra poshtë në një shkëmb 1.9 miliardë vjeçar.
Ajo do jetë shtëpia e fundit për 12,000 ton karburant bërthamor të harxhuar, të mbështjellë në kapsula bakri 5 metra të gjata, rezistente ndaj korrozionit, të cilat do paketohen në argjilë dhe do varrosen.
Objekti do marrë mbetjet e tij të para në fund të viteve 2030, por nuk do përfundojë deri në vitin 2080, kur tunelet do mbushen dhe mbyllen, tha Kompania Suedeze për Menaxhimin e Karburantit dhe Mbetjeve (SKB).
Megjithatë, procesi mund të vonohet. MKG, një organizatë joqeveritare suedeze që punon për mbetjet bërthamore, ka paraqitur një apel në një gjykatë suedeze duke kërkuar kontrolle të mëtejshme të sigurisë.
Ai tha se hulumtimi nga Instituti Mbretëror i Teknologjisë i Suedisë tregoi se kapsulat e bakrit mund të gërryhen dhe të rrjedhin elementë radioaktivë në ujërat nëntokësore.
“Ne kemi hapësirë për të pritur dhjetë vjet për të marrë një vendim, duke qenë se kjo është diçka që duhet të jetë e sigurt për 100,000 vjet,” tha Linda Birkedal, kryetare e MKG.
Depoja e Forsmark do kushtojë rreth 12 miliardë korona (1.08 miliardë dollarë) dhe do paguhet nga industria bërthamore, tha SKB.
Ajo do ketë vend për të mbajtur të gjitha mbetjet e prodhuara nga termocentralet bërthamore të Suedisë.
Megjithatë, ajo nuk do mbajë karburant nga reaktorët e ardhshëm. Suedia planifikon të ndërtojë 10 reaktorë të tjerë deri në vitin 2045.