Forca të shumta policie mësyjnë Pogradecin, shoqërohen 14 persona


Forca të shumta policie, mes të cilave RENEA, Shqiponja e FNSH-ja po zhvillojnë një operacionnë Pogradec.

Deri tani janë shoqëruar 14 persona si dhe janë sekuestruar 100 mijë euro. Forcat Speciale kanë rrethuar banesën e Erjon Llapushit, i cili është në kërkim  për një vrasje të kryer në vitin 2021.

Operacioni në Pogradec, sipas policisë, synon të godasë trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike, gjetjen e armëve pa leje e kapjen e personave në kërkim.

Gjatë kontrolleve të shumta janë kapur armë zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, para e lëndë narkotike, shkruan BW.

Erjon Llapushi, një personazh me një histori të gjatë kriminale, është autori i vrasjes së kamarierit Gazment Kurmaku në një lokal në Elbasan më 2 tetor 2021.

Ai e vrau viktimën pasi e kërcënoi me thikë për një tavolinë, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Luan Dulellari, u arratis.

Llapushi është arrestuar më 29 maj 2021 për trafikim njerëzish, duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm, por nuk dihet sa kohë ka kaluar në burg.

Në vitin 2019, ai është shpallur fajtor për shtrëngim me kanosje për të marrë aksione në një kompani private dhe është dënuar, por ka dalë nga burgu në mënyrë të pazbardhur.