Gjykata e Tiranës lë në burg 64-vjeçarin që vrau me çekiç komshiun dhe i vodhi 2 milionë lekë


Gjykata e Tiranës ka lënë në burg autorin e vrasjes së 81-vjeçarit, Xhemal Metës në fshatin Shëngjin i Vogël, Tiranë.

81-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e 13 janarit në oborrin e banesës në periferi të Tiranës, i goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës.

Autori i vrasjes, Isuf Hasa e pranoi krimin para togave të zeza dhe deklaroi se i moshuari kishte kohë që ofendonte dhe i ngacmonte bashkëshorten.

Policia deklaroi se nga kontrollet e ushtruara në disa banesa të autorit dhe familjarëve te tij, u gjetën 200.00 mijë lekë të rinj, ndërsa çekiçin e kishte fshehur në banesën e vajzës së tij në Vorë.

81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.