Vrau kushëririn me armë gjahu, vihet në pranga 43 vjeçari në Bulqizë, 3 të tjerë nën hetim


Flamur Kamberi, 43 vjeç, u arrestua nga policia pas vrasjes aksidentale të kushëririt të tij, Vasil Kamberi, në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël, në Bulqizë i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital.

Policia ka sekuestruar 4 armë gjahu, 22 fishekë dhe 2 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Për tre të tjerë, A.K., H.T., dhe R.K., është nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Hetimet për ngjarjen vijojnë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe Prokurorinë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël, në Bulqizë, arrestuan shtetasin Flamur Kamberi, 43 vjeç, banues në fshatin Tërnovë, Bulqizë.

Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A.K., 33 vjeç; H.T., 42 vjeç; R.K., 28 vjeç, banues në fshatin Tërnovë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Flamur Kamberi, së bashku me shtetasin Vasil Kamberi (viktima), dhe shtetasit A.K., H.T., R.K., kishin dalë për gjueti në pyllin e fshatit Tërnovë dhe askidentalisht shtetasin Flamur Kamberi, ka qëlluar me armën e gjahut në drejtim të shtetasit Vasil Kamberi, ku si pasojë e plagëve të marra humbi jetën gjatë transportimit me helikopter për në spital.

Shërbimet e Policisë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 4 armë gjahu (çifte), 2 gëzhoja, 22 copë fishek dhe 4 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.