Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia Kavajë, Meta: Dënim për qytetarët, rrezik për pronat e tyre


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas vendimit për heqjen e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia e Kavajës.

Nga burgu, Meta ka cilësuar këtë masë si një dënim për qytetarët e Kavajës që nuk u nënshtruan në zgjedhjet e fundit lokale.

Meta theksoi se kjo vendim paraqet një rrezik të madh për pronat e qytetarëve të Kavajës, të cilat janë të lakmuara dhe të çmuara.

Ai e cilësoi largimin e shërbimeve të rëndësishme nga qytetarët si një vijim të strategjisë së qeverisë për centralizimin e pushtetit dhe korrupsionit.

Postimi:

Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia shumë e rëndësishme e Kavajës është jo vetëm dënim për mosnënshtrimin e qytetarëve të saj në zgjedhjet e fundit vendore por një rrezik serioz dhe kërcënim i madh për pronat e tyre të çmuara dhe të lakmuara.

Largimi nga qytetarët i shumë shërbimeve bazë është vijim i strategjisë së “Rilindjes” për të centralizuar bashkë me to edhe korrupsionin.

Heqja e drejtorive të rëndësishme të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ujësjellësave, sistemit elektro-energjitik, prokurorive e gjykatave është dështim i Reformës së Decentralizimit dhe sukses i Reformës së Patronazhimit, në dëm të qytetarëve dhe në funksion edhe të axhendës antikombëtare të shpopullimit të Shqipërisë.