Përplasja me armë zjarri në Kallmet, Gjykata e Lezhës dënon me 6.6 vite burg Besnik Simonin, Altin Markun me 20 vite


Gjykata e Lezhës ka shpallur dënimet për përplasjen me armë të ndodhur në prill 2022 në fshatin Kallmet, ku ishte i përfshirë edhe ish-kreu i Njësisë Administrative, Besnik Simoni.

Ai u shpall fajtor për “Vrasjen në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve”, duke u dënuar me 6 vite e 6 muaj burg.

Ndërsa Altin Marku u dënua me 20 vite burg për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi armësh”.

Vendimi i Gjykatës:

Deklarimin fajtor të pandehurit Altin Marku për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/1 dhe 22 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të pandehurit Altin Marku për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Altin Marku me 20 (njëzetë) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 266 pika 2 gërma b) të K.Pr.Penale, rivënien në fuqi të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.146, datë 04.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Altin Marku të fillojë nga momenti i arrestimit 01.04.2022 dhe dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.

Deklarimin fajtor të pandehurit Besnik Simonaj për veprën penale “Vrasja në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 83 dhe 22 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Besnik Simonaj për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Besnik Simonaj me 6(gjashtë) vjet e 6(gjashtë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të dënuarin Besnik Simonaj të fillojë nga momenti i arrestimit 01.04.2022 dhe dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.