Trump do ta bëjë betimin brenda Kapitolit për shkak të motit


Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit acar.

Kjo do të jetë hera e parë në 40 vjetët e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda dhe jo jashtë ndërtesës.

“Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump të premten në rrjetin e tij social, Truth Social.

Kjo është hera e dytë që një inaugurim mbahet brenda ndërtesës për shkak të temperaturave të ulëta, pas inaugurimit të dytë të Ronald Reagan në 1985, kur temperatura ra në -14 gradë Celsius.

Për të siguruar që mbështetësit të mund ta shikojnë ceremoninë, Trump ka ftuar ata të ndodhen brenda Capital One Arena, një arenë sportive me kapacitet 20,000 ulëse.

Parada presidenciale, që do të përfshinte bende muzikore dhe grupe të tjera, gjithashtu do të zhvendoset në këtë arenë, megjithatë nuk është e qartë se si do të zhvillohet një paradë brenda këtij hapësire.