Partia Demokratike ka thirrur një tjetër protestë para ambienteve të SPAK, ndërsa kreu i saj Sali Berisha duhet të zbatojë vendimin për detyrim paraqitjeje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Në njoftimin e shpërndarë për demokratët bëhet thirrje që protestuesit të mblidhen sërish para SPAK në orën 9:30 duke ngritur kështu presionin ndaj SPAK-ut.
“Te dashur miq. Ditën e Hënë është data e radhës e përcaktuar për t’u paraqitur Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha ne SKAP. ..Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
SPAK ka apeluar më herët vendimin e lirimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak, duke kërkuar rikthimin e kësaj mase sigurie. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.”
Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, pasi SPAK e akuzon për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, që u përshtatën për interesat e pesë familjeve pronare të kompleksit sportiv “Partizani.” Sipas SPAK, nga këto veprime ka përfituar gjithashtu dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.