Cilat janë kushtet e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas


Pas 15 muajsh lufte shkatërruese, Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një marrëveshje armëpushimi që do ndalonte luftën në Gaza dhe do siguronte lirimin e 98 pengjeve të mbetura të mbajtura nga militantët.

Marrëveshja me shumë faza – e ndërmjetësuar dhe e garantuar nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari – do shënojë armëpushimin e parë që nga një armëpushim njëjavor në nëntor 2023 dhe ka hyrë në fuqi mëngjesin e sotëm.

Nëse zbatohet plotësisht, marrëveshja do t’i jepte fund përgjithmonë luftës që filloi me sulmin e Hamasit në 7 tetor 2023 ndaj shtetit hebre.

Si do fillojë armëpushimi?

Marrëveshja kërkon një armëpushim fillestar gjashtëjavor, në të cilin të dyja palët ndalojnë së luftuari. Ushtria izraelite do fillojë të zhvendoset në lindje nga qendrat urbane në gjithë Gazën, thotë marrëveshja, në ato që Izraeli i ka përshkruar si “zona tampon” që do i ketë nën kontroll në anën palestineze të kufirit.

Në mënyrë kritike, deri në fund të fazës së parë, marrëveshja kërkon gjithashtu që trupat izraelite të largohen nga rruga kryesore e njohur si korridori Netzarim që ndan veriun e brezit nga jugu dhe të largohen nga kufiri i Gazës me Egjiptin brenda 50 ditëve.

Sipas kushteve, kalimi kufitar Rafah që lidh Gazën me Egjiptin, që u pushtua nga Izraeli majin e kaluar dhe kryesisht u shkatërrua, pritet të rihapet. Kjo do ringjallte lidhjen e vetme të brezit me botën e jashtme që nuk kontrollohej drejtpërdrejt nga Izraeli përpara luftës.

A do lejohen palestinezët të shkojnë në shtëpi?

Banorët e Gazës do lejohen të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë palestinezët e zhvendosur nga veriu në jug të Gazës gjatë luftës, një popullsi që llogaritet në qindra mijëra.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli ka këmbëngulur që “marrëveshjet e sigurisë” të drejtuara nga një kompani private e paidentifikuar të vendosen në pikat e kontrollit që çojnë nga jugu në veri. Ata do synojnë të sigurojnë që militantët të mos kthehen në Gazën veriore, nga e cila Hamasi nisi pjesën më të madhe të sulmit të tij më 7 tetor 2023 që vrau 1200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.

Marrëveshja kërkon gjithashtu që Izraeli të lejojë 600 kamionë me ndihma humanitare çdo ditë në territorin e shkatërruar, gjysma e të cilave do ndahen në Gazën veriore, ku njerëzit kanë vuajtur nga uria akute, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.

Veriu është goditur më së shumti nga ofensiva hakmarrëse shkatërruese e Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 46,000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore në territorin e kontrolluar nga Hamasi, dhe ka kthyer në rrënoja një pjesë të madhe të territorit.

Grupet ndërkombëtare të ndihmës kanë thënë se infrastruktura për të futur ushqime, ilaçe, karburant dhe mallra të tjera në Gaza do duhet të rritet ndjeshëm, pasi sasitë e përcaktuara në marrëveshje do rrisin sasinë që hyn në rrip të paktën trefish.

Cilët pengje të mbajtur në Gaza do lirohen?

Për Izraelin, fitorja vendimtare në fazën e parë të marrëveshjes është kthimi i 33 pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi, duke përfshirë fëmijë, gra civile, ushtarë femra, persona mbi të 50-at dhe të plagosurit.

Mbetet e paqartë se sa njerëz që plotësojnë këto kritere mbeten gjallë, megjithëse një zyrtar izraelit tha këtë javë se “shumë prej tyre, shumica prej tyre” ishin ende gjallë.

Sipas marrëveshjes, tre gra pengje u liruan të dielën, ndërsa ajo do pasohet  nga lirimi i të paktën tre robërve të tjerë çdo shtatë ditë. Gjëja më e rëndësishme për Izraelin, pengjet e gjalla do lirohen fillimsht, e ndjekur nga pengjet që kanë humbur jetën në fund të periudhës gjashtëjavore.

Po të burgosurit palestinezë?

Për çdo peng civil të liruar, Izraeli është zotuar të lirojë 30 palestinezë të ndaluar në burgjet izraelite, me numrin që rritet në 50 të burgosur palestinezë për çdo grua ushtare izraelite. Gjatë kësaj faze, theksi do të jetë në lirimin e palestinezëve që janë arrestuar gjatë luftës, por jo të implikuar në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.

Më shumë se 100 palestinezë që vuajnë dënimin e përjetshëm me akuza për vrasje dhe terrorizëm do lirohen gjithashtu, me disa të internuar në vendet e treta.

Midis 1,000 dhe 1,650 palestinezë pritet të lirohen gjatë kësaj faze të marrëveshjes, në varësi të numrit të pengjeve të gjallë që do lirohen përfundimisht nga Gaza.

Çfarë hollësish të tjera parashikon marrëveshja?

Jo më vonë se dita e 16-të e armëpushimit, palët duhet të fillojnë negociatat për fazën e dytë – dhe ndoshta më të vështirë -: lirimin e 65 pengjeve të mbetura, të gjithë burra nën 50 vjeç, përfshirë ushtarë, në këmbim të një tërheqjeje të plotë izraelite nga Gaza dhe një armëpushim të përhershëm.

Numri i të burgosurve palestinezë që do lirohen në këmbim të çdo ushtari izraelit ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë në këtë fazë të dytë, e cila pritet të zgjasë gjashtë javë.

Negociatorët kanë diskutuar gjithashtu një fazë të tretë të mundshme të marrëveshjes, në të cilën trupat e pengjeve izraelitë dhe militantëve palestinezë do kthehen dhe rindërtimi i Gazës do fillojë nën mbikëqyrjen e Katarit, Egjiptit dhe OKB-së. Ekziston një mundësi në rritje që faza e dytë dhe e tretë të bashkohen në negociata, thanë analistët.

A mund të prishet armëpushimi?

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se ai nuk është i gatshëm të përfundojë plotësisht luftën derisa të ketë arritur “fitoren totale” dhe “shkatërrimin” e plotë të Hamasit.

Kjo e lë të hapur mundësinë e rifillimit të luftimeve pas armëpushimit fillestar gjashtëjavor. Megjithatë, presioni ndërkombëtar – potencialisht duke përfshirë administratën e ardhshme amerikane të Donald Trump, i cili ka pretenduar meritën për armëpushimin – mund ta detyrojë udhëheqësin veteran izraelit të vijojë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit përtej fazës së parë dhe të ndalojë plotësisht luftën.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani