Kreu i KQZ-së Celibashi tha sot se do i kërkojë Kuvendit të ndryshojë strukturën që do merret me vlerësimin dhe numërimin e votave të diasporës.
Më herët, Celibashi ka deklaruar se numërimi i votave do kryhej në mjediset e KQZ-së dhe nga stafi i saj, duke pohuar se se nuk ishte caktuar përbërja e ekipit.
Kryekomisionieri tha sot se në strukturë do kërkohet përfshirja edhe e përfaqësuesve të partive politike, për të rritur edhe më shumë besueshmërinë.
“Do t’i propozojmë Kuvendit ndryshim në Kodin Zgjedhor për strukturën që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit. Duke qenë se është themelore që si proces që zhvillohet për herë të parë të kemi besimin e të gjitha palëve. Në procesin e numërimit të përfshihen edhe partitë politike veçmas KQZ.” – tha Celibashi.
Ai sqaroi më tej edhe përbërjen e ekipit që do merret me vlerësimin dhe numërimin e votës së diasporës, me 50 për qind që do i takojë opozitës e 50 për qind PS-së.
“Numërimi i votës së diasporës, nuk do të bëhet domosdoshmërisht në ambientet ku ndodhet selia e KQZ. Për vendndodhjen do të ketë dakordim me partitë politike”, tha ai.