TikTok filloi të rivendoste shërbimet e tij të dielën pasi presidenti i sapozgjedhur Donald Trump tha se shtynte afatin e bllokimit të aplikacionit në SHBA sapo të betohet në detyrë të hënën.
“Sinqerisht, ne nuk kemi zgjidhje. Ne duhet ta shpëtojmë atë,” tha Trump në një tubim të dielën përpara betimit, duke shtuar se SHBA-ja do kërkojë një sipërmarrje të përbashkët për të rivendosur aplikacionin e shkëmbimit të videove të shkurtra të përdorur nga 170 milionë amerikanë.
Në një mesazh për përdoruesit disa orë përpara tubimit, TikTok tha: “Si rezultat i përpjekjeve të presidentit Trump, TikTok është kthyer në SHBA”.
TikTok lëshoi gjithashtu një deklaratë të mëparshme pasi përdoruesit amerikanë raportuan se ishin në gjendje të hynin në faqen e internetit të shërbimit në pronësi kineze.
“Në marrëveshje me ofruesit tanë të shërbimeve, TikTok është në procesin e rikthimit të shërbimit,” tha TikTok në deklaratën e mëparshme që falënderoi gjithashtu Trumpin për “dhënien e qartësisë dhe garancisë së nevojshme për ofruesit tanë të shërbimeve se ata nuk do përballen me asnjë ndëshkim”.
TikTok ndaloi së punuari për përdoruesit amerikanë vonë të shtunën përpara se të dielën të hynte në fuqi ligji për mbylljen e tij për arsye të sigurisë kombëtare. Zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar se nën kompaninë mëmë kineze ByteDance, ekzistonte rreziku që të dhënat e amerikanëve të keqpërdoreshin.
Trump tha se do “zgjaste periudhën kohore përpara se ndalimet e ligjit të hyjnë në fuqi, në mënyrë që ne të mund të bëjmë një marrëveshje për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”.
“Unë do doja që Shtetet e Bashkuara të kishin një pozicion pronësie prej 50% në një sipërmarrje të përbashkët,” shkroi ai në Truth Social.