“Heydar Aliyev në dritën e kujtimeve” – Promovohet në Tiranë trashëgimia politike e përkthyer në shqip


Në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Tiranë, u prezantua botimi në gjuhën shqipe i librit “Heydar Aliyev në dritën e kujtimeve”, i shkruar nga gazetarët dhe studiuesit Seyfullah Turksoy dhe Etibar Babaev.

Aktiviteti mblodhi figura të rëndësishme nga fusha e diplomacisë, politikës, biznesit dhe medias, ndërsa një prani e veçantë ishin përfaqësuesit e ambasadave të Turqisë dhe Azerbajxhanit.

Gjatë ceremonisë, folësit nënvizuan rëndësinë e trashëgimisë politike të presidentit të ndjerë Heydar Aliyev, duke vënë theksin te kontributi i tij historik në procesin e pavarësisë së Azerbajxhanit dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një rol të veçantë në realizimin e këtij botimi e pati biznesmeni dhe ish-deputeti Flamur Celaj, i cili ka mbështetur këtë nismë si një hap për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit.

Një nga autorët e librit, Seyfullah Turksoy, theksoi rëndësinë e përkthimit të tij në shqip, duke e cilësuar këtë si një mundësi për publikun shqiptar që të njihen më nga afër me historinë dhe vizionin e Aliyevit. Nga ana tjetër, bashkautori Etibar Babaev u shpreh se lidershipi i Aliyevit mbetet një model frymëzues për brezat e rinj.

Në fjalën e tij, ambasadori turk në Shqipëri, Tayyar Kagan Atay, vlerësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kulturore dhe diplomatike mes tre vendeve. Po ashtu, ambasadori i Azerbajxhanit në Tiranë, Anar Huseynov theksoi se libri shërben si një burim i rëndësishëm për të përcjellë trashëgiminë e Heydar Aliyevit tek brezat e ardhshëm.

Aktiviteti, i cili u shoqërua me diskutime dhe reflektime mbi figurën e Aliyevit, përfundoi me një bashkëbisedim mes të ftuarve dhe autorëve të librit. Botimi në shqip i “Heydar Aliyev në dritën e kujtimeve” pritet të shërbejë si një referencë e vlefshme për studiuesit, akademikët dhe të gjithë ata që janë të interesuar për historinë dhe politikën ndërkombëtare.