IDF operacion në Bregun Perëndimor, arrestohen dhjetëra palestinesë


Ushtria izraelite arrestoi 64 palestinezë, duke përfshirë fëmijë deri në 7 vjeç, gjatë një bastisjeje të hënën në Qalqilya lindore në Bregun Perëndimor verior.

Arrestimet ndodhën një ditë pasi Izraeli liroi 90 të burgosur nga paraburgimi nën një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve me fraksionet e rezistencës në Rripin e Gazës, duke i dhënë fund një gjenocidi 15-mujor në enklavë.

Forcat izraelite hynë në qytetin e Azzun, duke detyruar pronarët e dyqaneve të mbyllnin bizneset e tyre, tha gazetari dhe aktivisti Fares Al-Azzouni për Anadolu.

“Forcat okupuese sulmuan shtëpitë dhe një xhami, duke arrestuar 64 banorë, përfshirë fëmijë”, tha Al-Azzouni, duke shtuar se njëri ishte 7 vjeç.

Ata që u ndaluan u detyruan të shtriheshin me fytyrë në një shesh publik përpara se të grumbulloheshin dhe të detyroheshin të ecnin në një rresht me duart e tyre mbi shpatullat e personit përpara tyre, ndërsa shikonin poshtë, sipas Al-Azzouni.

Marrëveshja e armëpushimit të Gazës hyri në fuqi të dielën, me fazën e parë që do të zgjasë 42 ditë, gjatë së cilës do zhvillohen negociatat për fazën e dytë dhe të tretë, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe SHBA. Marrëveshja pezulloi sulmin izraelit në enklavën palestineze.

Sipas marrëveshjes, Hamasi liroi tre gra izraelite në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Tensioni ka qenë i lartë në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, ku të paktën 47,000 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 110,700 janë plagosur që nga 7 tetori 2023.

Rreth 860 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6700 të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.