Kultivim kanabisi, kanosje me thikë, arrestohen tre persona në Tiranë e Mirditë


Një person është arrestuar në Tiranë, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe një shtetas turk.

Në pranga ka rënë 23-vjeçari S.H. që akuzohet për kultivim kanabisi ndërsa shtetasi turk u prangos pas akuzohet se ble kanabisin nga 23-vjeçari. Gjatë operacionit të policisë u sekuestruan 5 kg kanabis.

Në Mirditë është ndaluar mkë 37-vjeçar i cili akuzohet për kanosjen me thikë të pronarit të një lokali.

Njoftimi Tiranë

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration 1”.

Zbulohet një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit. Sekuestrohen 5 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike. Vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, bashkëpunëtorë për përgatitjen dhe shitjen e dozave të kanabisit. Vihet në pranga dhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 1”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. S., 24 vjeç, banues në Turqi, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi Mirditë

“Kanosi me mjet prerës (thikë), pronarin e një lokali, për motive të dobëta, dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë që ndërhynë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës, kapet dhe vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohen 2 mjete prerëse (thika), që iu gjetën 37-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në një lokal, në Rubik, një shtetas kishte kanosur me mjet prerës (thikë), pronarin e lokalit, kanë shkuar në këtë adresë, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi L. D., në gjendje të dehur, i ka kundërshtuar ata me forcë, ka goditur me grusht njërin prej tyre dhe është larguar me vrap. Pas kontrolleve, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit L. D., 37 vjeç, banues në Rubik, Mirditë.

Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën 2 thika, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.”