SPAK ka kërkuar dënimin me 1.6 vite burg për ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduart Kapri. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i zbritet në 1 vit.
Më 14 tetor ish kryebashkiaku demokrat Eduart Kapri u mor si pandehur nga SPAK, nën akuzë se me ndihmën e dy zyrtarëve të tij lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12 katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë adminstrator.
Pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie firmën e kaloi në emër të të vëllait.
Jo vetëm kaq, por pallati që ishte 12 katësh në lagjen nr 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.
Të pandehur për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ bashkë me ish kryetarin e bashkisë Kapri u morën edhe juristi i bashkisë, Besjan Meço dhe Besmira Niko në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec.
Kryebashkiaku demokrat Eduart Kapri është marr i pandehur nga SPAK edhe më herët. Së bashku me ish vartësit e bashkisë ish kryebashkiaku u akuzua për abuzim me një tender me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.
Por me vendimin e 9 qershorit 2024, Apeli i Posaçëm i shpalli të pafajshëm duke konfirmuar vendimin e GJKKO-së për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij.