Denoncimi i Tabakut te Ekonomia: Falja e taksave për 10 vite dhuratë e qeverisë për oligarkët e turizmit


Deputetja e PD-së Tabaku kundërshtoi ashpër propozimin e socialistëve në Komisionin e Ekonomisë për faljen 10-vjeçare të taksave për kompanitë e huaja që investojnë në turizëm.

Ajo e cilësoi nismën në fjalë të PS-së “dhuratë për oligarkët e turizmit, që lë pas dore shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe bizneset e vogla”.

“Kur miratuam buxhetin në dhjetor, qeveria premtoi se nuk do të kishte ndryshime fiskale, as përjashtime, as privilegje. Por, vetëm një muaj më vonë, socialistët sjellin një nismë që shkel premtimet e veta dhe dispozitat ligjore, duke falur taksat për një grusht kompanish në prag të zgjedhjeve.” – deklaroi Tabaku.

Më tej ajo kritikoi shtyrjen e Ligjit për Investimet Strategjike për të tetën herë, duke e quajtur atë një shembull të qartë të kapjes së ligjit nga interesat private duke theksuar se falja e re e taksave për kompanitë e mëdha përshpejton pabarazinë ekonomike në vend.

Tabaku nënvizoi se nisja e sesionit parlamentar me ligje që favorizojnë bizneset e mëdha në vend e ato të huaja është e papranueshme.

“Këto ligje nuk janë më përkohshme. Përfitimet për një pakicë po kthehen në normë, ndërsa bizneset e vogla dhe fermerët përballen me një barrë të rëndë fiskale,” theksoi Tabaku. “Si mund të justifikoni që hotelet e mëdha të huaja përjashtohen nga taksat, ndërsa strukturat akomoduese shqiptare në vijën bregetare, që punësojnë qindra njerëz, paguajnë gjithçka. Në vend që të sillnim një ligj që prek shumicën e qytetarëve, qeveria nis vitin me privilegje për dhjetë hotele të mëdha. Kjo është dhurata më e keqe që mund t’i bëhet sistemit tonë fiskal dhe barazisë ekonomike. Faljet e taksave dhe politika preferenciale kanë krijuar një pabarazi të thellë. Hotelet shqiptare paguajnë taksa, ndërsa të huajat përjashtohen. Çfarë mesazhi po i jepni investitorëve vendas.” – tha Tabaku.