Kancelari gjermane Scholz do takohet me presidentin francez Macron në Paris të mërkurën, ndërsa përpiqen të hartojnë një kurs të ri për Evropën pas rikthimit në pushtet në SHBA të presidentit Donald Trump.
Megjithë dallimet e tyre të shumta në politika dhe pozicionet e dobësuara, Scholz dhe Macron do përpiqen të projektojnë forcë dhe do bëjnë thirrje për një përgjigje të shpejtë nëse SHBA-të ndjekin kërcënimet për të vendosur tarifa ndaj eksporteve evropiane, sipas njerëzve të njohur me planet. Ata gjithashtu do zotohen të flasin me një zë kur kanë të bëjnë me administratën e re në Uashington.
Zgjedhjet e parakohshme katastrofike vitin e kaluar e lanë Macron të margjinalizuar në parlamentin e Francës dhe votuesit gjermanë janë gati të largojnë Scholz-in nga pushteti muajin e ardhshëm. Kjo u jep krerëve të dy ekonomive më të mëdha të Bashkimit Evropian hapësirë të kufizuar për të manovruar përballë një SHBA-je agresive.
Trump ka kërcënuar se do vendosë tarifa ndaj BE-së për një sërë çështjesh, nga suficiti tregtar i bllokut deri te mosshpenzimet e mjaftueshme për mbrojtjen. Bloomberg raportoi më herët se BE-ja ka përgatitur një listë të kompanive amerikane për të synuar me ndëshkime nëse Trump vijon me kërcënimet.
“Ne do mbrojmë tregtinë e lirë si bazën e mirëqenies sonë së bashku me partnerët e tjerë,” tha Scholz në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të martën.
“Evropa është e përkushtuar ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme globale”.
Takimi mes dy krerëve nuk do jetë hera e parë që dyshja përpiqet të krijojë një front të bashkuar përballë fuqive të huaja agresive, edhe në mes të mosmarrëveshjeve të tyre.
Scholz dhe Macron dështuan gjatë tre viteve të fundit për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë pune për shkak të pikëpamjeve dhe stileve të tyre të kundërta. Kjo dinamikë e vështirë ka përkuar me çështjet urgjente të BE-së, të tilla si pushtimi i Ukrainës nga Rusia, një ekonomi e lodhur dhe çmimet e larta të energjisë.
Për Scholz-in, vendet evropiane mund të sigurojnë mirëqenien vetëm nëse ruajnë një hapje të caktuar ndaj ekonomive të tyre mes ambicieve në rritje të tregtisë globale të Kinës dhe qëndrimit armiqësor të Trump. Udhëheqësi gjerman dëshiron që BE-ja të nënshkruajë më shumë marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet në Amerikën e Jugut dhe më gjerë.
Macron ka një pikëpamje të ndryshme për tregtinë. Presidenti francez u zemërua kur pavarësisht kundërshtimit të tij të vendosur, Komisioni Evropian në dhjetor shtyu përpara dhe përfundoi negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, një marrëveshje e mbështetur nga Gjermania.
Dallime të ngjashme dolën në dritë kur Franca vitin e kaluar e bindi komisionin të rriste tarifat e importit për makinat elektrike kineze, një veprim i kundërshtuar nga Gjermania pasi kishte frikë nga hakmarrja kineze ndaj prodhuesve gjermanë të automjeteve.
Franca dhe Gjermania gjithashtu do kenë vështirësi të gjejnë gjuhën e përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen. Ndërsa Scholz është në favor të lehtësimit të kufijve të rreptë të Gjermanisë për të financuar më shumë shpenzime për mbrojtjen në shtëpi, nëpërmjet borxhit, ai është kundër propozimit të Macron për të shkuar në një seri tjetër të huamarrjes së përbashkët evropiane për të financuar nismat e mbrojtjes.
Në shkurt, Macron e kapi Scholz-in në befasi kur ai nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë gjatë një konference për shtyp në Paris që pasoi një takim të krerëve të BE-së ku përfshihej edhe kancelari gjerman. Udhëheqësi gjerman e rrëzoi shpejt propozimin.
Gjatë takimit të së mërkurës, Scholz dhe Macron do diskutojnë gjithashtu temën e rregullimit evropian të gjigantëve të teknologjisë amerikane.
Scholz dhe Macron do diskutojnë se si të dyja qeveritë mund të mbështesin BE-në në përpjekjet e saj për të mbrojtur qytetarët nga kërcënimi në rritje i keqinformimit dhe gjuhës së urrejtjes në platformat e mediave sociale si X e Elon Musk dhe Facebook dhe Instagram i Mark Zuckerberg, thanë njerëzit.
“Si Bashkim Evropian, ne gjithashtu mund të ndërtojmë fuqinë tonë”, tha Scholz të hënën.
“Si një komunitet prej më shumë se 400 milionë europianësh, ne kemi peshë ekonomike”.