Një person i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje është prangosur nga policia në Durrës.
I arrestuari është 30-vjeçari Klenis Kazazaj, i cili më 30 korrik të vitit 2023 në Sheq të Madh të Fierit ka qëlluar me armë 34-vjevarin O.B. banues në Fier.
Njoftimi
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Distanca”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim. Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti të çastit, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Distanca”. Gjatë këtij operacioni, u lokalizua në lagjen nr. 13, Durrës, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 04.08.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ”Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet se më datë 30.07.2023, në lagjen “Sheq i madh”, Fier, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin O. B., 34 vjeç, banues në Fier, i cili mbeti i plagosur. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Fier. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”