Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizmeve pritet të ndërhyrje me një fond 4 milionë euro në rezervuarin e Manskurisë që ndodhet mbi zonën e Golemit në Kavajë dhe shërben për nevojat e furnizimit me ujë të bashkisë.
Së fundmi kjo agjenci njoftoi se ka shpallur kompaninë fituese për tenderin në fjalë, ALBA KONSTRUKSION me një ofertë 408 milionë lekë.
Kontrata në fjalë ka në objekt “Rikonstruksionin e nyjes hidroteknike në rezervuarin e Manskurisë” dhe ka në fokus të saj rritjen e parametrave të sigurisë sa i takon këtij rezervuari. Shkak për këtë ndërhyrje duket se është bërë një defekt i vitit 2015.
Gjatë shfrytëzimit për nevojat e ujësjellësit, në fillim të vitit 2015, diga ka pësuar defekt të rëndë dhe shfrytëzimi normal i mëtejshëm paraqet rrezikshmëri për popullatën.
Në skarpatën e poshtme të digës afër aksit të ujëlëshuesit ekzistues, rreth 2 m poshtë kurorës së digës është hapur një pus, gryka e te cilit ka dale në sipërfaqe të skarpatës. Nga ana tjetër është identifikua një rrjedhje uji në formë burimi në anën e poshtme të digës.
Që nga koha e identifikimit të këtij pusi kur ai doli në sipërfaqe nuk është ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm duke ja lënë këtë një projekti të plotë të rehabilitimit dhe jo ndërhyrjeve pjesore në të” thuhet në dokumentet e AKUK.
Lidhur me këtë plani është për një ndërhyrje në seksionin e plotë të digës duke e çarë atë sipas aksit të ujëlëshuesit dhe duke e zëvendësuar ujëlëshuesin me një të ri.
Çarja e digës në mënyrë të kontrolluar sipas një teknologjie specifike sipas institucioneve do të ndihmojë për të kuptuar më mirë arsyet dhe shkaqet e defektit të ndodhur si dhe do ndihmojë për korigjimin e masave të parashikuara në këtë projekt si:
(1) Rehabilitimin e drenazheve të digës.
(2) Eliminimin e gropave të tjera të mundshme që mund të jenë krijuar në këtë seksion por që nuk kanë dalë akoma në sipërfaqe.
(3) Rehabilitimin e skarpatës fundore të digës në anën e poshtme tashmë të prekur nga ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm./ N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor