Si e ndihmoi Google ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gaza


 

Dokumente të brendshme të siguruara nga “The Washington Post” kanë zbuluar një bashkëpunim midis Google dhe Ministrisë Izraelite të Mbrojtjes dhe Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) gjatë luftës në Gaza, e cila filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Këto dokumente tregojnë se kompania ka ofruar qasje në teknologji të avancuara të inteligjencës artificiale (AI) për forcat e sigurisë, në kundërshtim me deklaratat publike të Google që synojnë distancimin nga përdorimet ushtarake të teknologjisë së saj. 

 

Projekti Nimbus dhe përshpejtimi i bashkëpunimit

Historia nis me kontratën miliarda dollarëshe të quajtur Nimbus, të nënshkruar në vitin 2021, e cila kishte për qëllim modernizimin teknologjik të ministrive izraelite përmes shërbimeve të avancuara cloud, duke përfshirë ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave.

Brenda kësaj kontrate, Google dhe Amazon krijuan qendra të dhënash në Izrael dhe zhvilluan shërbime të dedikuara për përdorim qeveritar, përfshirë ato të mbrojtjes. 

Pavarësisht se Google kishte deklaruar publikisht se kontrata “nuk është e destinuar për përdorime ushtarake të ndjeshme apo të klasifikuara,” dokumentet tregojnë një realitet tjetër.

Pas sulmit të Hamasit, punonjësit e Google punuan për të siguruar qasje të shpejtë për IDF në shërbime të avancuara si platforma Vertex, e cila mundëson analiza të dhënash dhe përdorimin e algoritmeve të inteligjencës artificiale për nevoja të personalizuara. 

Sipas dokumenteve, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit kërkoi përshpejtim të aksesit në teknologjitë e Google dhe paralajmëroi se nëse kompania nuk do të ofronte shërbimet menjëherë, do të detyroheshin t’i drejtoheshin Amazon-it, partneri tjetër në këtë projekt. 

 

Përdorimi i AI në fushëbetejë 

Dokumentet zbulojnë se IDF përdori teknologji AI për të përmirësuar kapacitetet në fushëbetejë.

 Një nga sistemet, i quajtur “Habsora”, ishte projektuar për të ofruar një listë të mundshme objektivash për komandantët, bazuar në analizën e të dhënave të tilla si interceptimet e komunikimeve, imazhet satelitore dhe inteligjenca e mbledhur. 

Sistemi Habsora, i ndërtuar mbi qindra algoritme, mundësonte analizimin e të dhënave në një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe gjeneronte koordinata të objektivave, si vendndodhje lëshimi raketash dhe tunele.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të IDF shprehën shqetësime për mbështetjen e tepruar tek sistemi, duke vënë në pikëpyetje saktësinë e tij dhe aftësinë për të zëvendësuar analizën tradicionale njerëzore. 

9607819_28_0_953_652_0_x-large

Reagimi i punonjësve të Google 

Përdorimi i teknologjive të Google për qëllime ushtarake shkaktoi kundërshtime të shumta brenda kompanisë.

Që nga nënshkrimi i kontratës Nimbus, punonjësit e Google kanë protestuar kundër përfshirjes së kompanisë në aktivitete ushtarake të Izraelit. 

Më shumë se 50 punonjës u pushuan vitin e kaluar pasi folën kundër kontratës, duke pretenduar se ajo mund të mbështeste aktivitete ushtarake që shkelin të drejtat e njeriut të palestinezëve.

Në verën e vitit 2024, më shumë se 100 punonjës i dërguan një letër drejtuesve të Google dhe ekipit të të drejtave të njeriut, duke kërkuar rishqyrtimin e lidhjeve të kompanisë me Ministrinë Izraelite të Mbrojtjes. Por, sipas një punonjësi anonim të Google, kërkesa nuk u pranua. 

Google ka theksuar vazhdimisht angazhimin e saj për të drejtat e njeriut dhe ka deklaruar në politikën e saj për AI se kompania nuk do të aplikojë teknologji “për përdorime që mund të dëmtojnë njerëzit.

הפגנת עובדי גוגל נגד מעורבותה בפרויקט הענן הממשלתי הישראלי

Kur kompania bleu DeepMind në vitin 2014, u ra dakord gjithashtu që teknologjia e saj nuk do të përdorej për qëllime ushtarake apo mbikëqyrjeje. 

Megjithatë, gjatë një konference të mbajtur vitin e kaluar, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Kombëtare të Kibernetikës së Izraelit, Gaby Portnoy, tha se “falë cloud-it publik Nimbus, po ndodhin gjëra fenomenale gjatë luftimit, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fitores sonë.” 

Kjo çështje ngre pyetje të mëdha për neutralitetin e kompanive të mëdha teknologjike si Google dhe Amazon dhe nëse zhvillimet e tyre do të mbeten neutrale apo do të përdoren si mjete në fushëbetejat globale. 

Ndërkohë Google nuk është përgjigjur ende pas publikimi të këtij artikulli.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynetnews.com