Akuzohen për disa vjedhje, pranga tre të rinjve në Vlorë


Tre të rinj të akuzuar për disa vjedhje janë arrestuar në Vlorë.

Në pranga kanë rënë 30-vjeçari Klodian Dule, 28-vjeçari Gëzim Çuçaj dhe 30-vjeçari Franko Pulaj, të tre banues në Vlorë.

Sipas policisë,  ata akuzohen për disa vjedhje në dyqane e makina.

Njoftimi

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas një pune të mirorganizuar hetimore dhe bazuar në inteligjencën informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Target 6,” si rezultat i të cilit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, u ndaluan shtetasit:

Klodjan Dule, 30 vjeç, Gëzim Çuçaj, 28 vjeç dhe Franko Pulaj, 30 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të maskuar me kapuçë dhe shalle, duke përdorur dorashka dhe sende të forta, kanë kryer vjedhje në qytetin e Vlorës, konkretisht:

-Më 10.01.2025, në lagjen “Partizani”, kanë thyer xhamin e një automjeti tip “Mercedes Benz” ku kanë vjedhur një palë syze me vlerë 400 euro dhe një parfum me vlerë 50 euro;

-Më 13.01.2025, në lagjen “Partizani”, kanë vjedhur disa steka me cigare në një dyqan;

-Më 18.01.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë vjedhur 20 000 lekë dhe steka me paketa me cigare me vlerë 80 000 lekë në një dyqan;

-Më 19.01.2025, në lagjen “15 Tetori”, kanë vjedhur 16 000 lekë në një market;

-Më 21.01.2025, në lagjen “24 Maji”, kanë vjedhur 30 000 lekë dhe paketa me cigare në një dyqan;

-Më 21.01.2025, në lagjen “Lef Sallata”, kanë tentuar të vjedhin në një subjekt financiar jobankar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa sende të vjedhura, mjetet dhe veshjet e përdorura nga autorët, për kryerjen e vjedhjeve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.”