Donald Trump mesazhe për ekonominë botërore, NATO-n dhe luftën në Ukrainë nga Davosi


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim virtual në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku trajtoi tema të rëndësishme si marrëdhëniet tregtare me Kinën, financimin e NATO-s, luftën në Ukrainë dhe politikat energjetike globale. 

Trump deklaroi se prioriteti i tij është krijimi i një marrëdhënieje më të drejtë me Kinën, duke theksuar se deficiti tregtar mes dy vendeve ka qenë i tepruar për shumë kohë.

“Gjithçka që duam është drejtësi. Duam vetëm një terren të barabartë. Deficiti është masiv, dhe kjo është një marrëdhënie e padrejtë,” tha ai.

Duke iu referuar marrëdhënieve me presidentin kinez Xi Jinping, Trump shtoi: “Më pëlqen shumë Presidenti Xi. Gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të mirë.” 

Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të vendosë tarifa shtesë ndaj Kinës duke filluar nga 1 shkurti, përfshirë një tarifë prej 10% për të gjitha mallrat kineze.

“Nëse nuk e bëni produktin tuaj në Amerikë, atëherë do të duhet të paguani një tarifë,” tha Trump, duke e përshkruar këtë si një strategji për të forcuar ekonominë amerikane dhe për të ulur borxhin. 

 

Thirrje për rritjen e shpenzimeve të NATO-s

Trump përsëriti kërkesën e tij që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PBB-së së tyre. “Kur erdha unë, shumica e vendeve nuk paguanin as 2%.

Kërkova që të paguajnë, dhe ata e bënë. Por tani duhet të shkojmë në 5%, siç duhet të ishte prej vitesh,” tha ai. 

 

Lufta në Ukrainë dhe çmimet e naftës 

Trump bëri thirrje për përpjekje të reja paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se “përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje janë tani, shpresoj, në rrugë e sipër.”

Trump shtoi: “Kjo është një fushë vdekjeje absolute. Miliona ushtarë po humbin jetën.”

Ai shprehu dëshirën për të takuar personalisht presidentin rus Vladimir Putin dhe për të angazhuar presidentin kinez Xi në përpjekjet për paqe. 

Sa i përket ndikimit të çmimeve të energjisë në luftë, Trump tha se ulja e çmimeve të naftës mund të ndihmojë në përfundimin e konfliktit.

Nëse çmimet bien, lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë menjëherë. Çmimet e larta e kanë mundësuar këtë luftë,” tha ai. 

Trump premtoi gjithashtu të ndërtojë impiante energjie për të fuqizuar inteligjencën artificiale “pothuajse menjëherë,” duke përfshirë burime si qymyri, të cilin e quajti “një burim të mirë dhe të pastër.”

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ndërtimi i këtyre impianteve kërkon vite dhe përfshin miratime nga autoritetet lokale dhe federale. 

 

Deklarata mbi inflacionin dhe normat e interesit

Trump kritikoi politikat ekonomike të administratës Biden, duke pretenduar se inflacioni ka qenë në nivelet më të larta historike gjatë presidencës së tij.

Megjithatë, kjo deklaratë u cilësua e pasaktë nga analistët, të cilët theksuan se inflacioni ka arritur nivele më të larta në periudha të tjera historike, si në vitin 1920. 

Në fjalën e tij, Trump pretendoi gjithashtu se do të mund të ulte normat e interesit duke ndikuar në çmimet e naftës, një pretendim që ekspertët kanë kundërshtuar, duke theksuar se normat përcaktohen nga forcat e tregut dhe vendimet e Rezervës Federale. 

Duke iu drejtuar biznesmenëve ndërkombëtarë, Trump bëri thirrje që ata të zhvendosin prodhimin në Shtetet e Bashkuara.

“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: ejani bëni produktin tuaj në Amerikë dhe do të merrni taksat më të ulëta në botë,” tha ai. 

Fjalimi i Trump-it në Davos ishte një përzierje e mesazheve politike dhe ekonomike, duke theksuar strategjitë e tij për të forcuar ekonominë amerikane dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare.