Kreu i Agjencisë Atomike: Trump i hapur për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin


Kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së i bëri thirrje administratës Trump dhe Iranit të mërkurën që të zhvillojnë bisedime, pasi Teherani ka përshpejtuar prodhimin e uraniumit të pasuruar.

Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), tha se dialogu ishte “absolutisht i domosdoshëm” për të ecur përpara në bisedimet bërthamore me Teheranin, shkruan Barrons.

“Pa bisedime, nuk do ketë asnjë përparim,” u tha Grossi gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Komentet e Presidentit Trump dhe anëtarëve të administratës së re tregojnë se “ka një prirje” për të pasur një “bisedë dhe ndoshta për të kaluar në një formë të një marrëveshjeje”, tha Grossi.

Zyrtarët iranianë gjithashtu pranojnë se nevojiten bisedime, vuri në dukje ai.

Programi bërthamor i Iranit është rritur “me shpejtësi” në ër sa u përket aftësive, objekteve dhe inventarit të materialit bërthamor që nga fundi i mandatit të mëparshëm të Trump në 2021, shtoi Grossi.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump ndoqi një politikë të “presionit maksimal” kundër Iranit, duke tërhequr Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore historike e vitit 2015, e cila vendosi frenime në programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Teherani iu përmbajt marrëveshjes deri në tërheqjen e Uashingtonit në vitin 2018, por më pas filloi të tërhiqej nga  zotimet e tij. Përpjekjet për të ringjallur paktin kanë dështuar që atëherë.

IAEA tha muajin e kaluar se një rinovim i fabrikës së pasurimit të Iranit në Fordo do çonte në një rritje të shkallës së prodhimit të uraniumit të pasuruar deri në 60 përqind, afër 90 përqindëshit të nevojshëm për të prodhuar një armë bërthamore.

Shkalla e prodhimit do rritet rreth shtatëfish në më shumë se 34 kilogramë uranium shumë të pasuruar në muaj, tha ai.

“Unë mendoj se ky është një tregues i qartë i një përshpejtimi. Ata po i japin gaz,” tha Grossi.

Irani këmbëngul në të drejtën e tij për energji bërthamore për qëllime paqësore dhe mohon se po kërkon të ketë armë bërthamorë.